TIRANË- Eric Wendt, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ka mbërritur mesditën e sotme në Shqipëri. Mësohet se ai është pritur nga drejtues të Protokollit të Shtetit dhe përfaqësues të ambasadës amerikane.
Paraditen e të shtunës, ambasadori Eric Wendt pritet të dorëzojë kredencialet në Pallatin e Brigadave. Sipas burimeve, nuk do të jetë thjesht një ceremoni dorëzimi e kredencialeve, por parashikohet edhe një takim i gjatë, kokë më kokë, mes presidentit Bajram Begaj dhe ambasadorit Eric Wendt.
Më pas, të hënën, pritet që ambasadori Eric Wendt do të zhvillojë takimin e parë me ministrin Ferit Hoxha në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ndërsa të premten, Ambasada Amerikane në Tiranë do të organizojë në një hotel në qendër të kryeqytetit ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri.
Në gusht 2026, Senati i SHBA-së miratoi kandidaturën e tij me 50 vota pro dhe 44 kundër, pasi ai kishte marrë më herët mbështetjen e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë. Wendt do ta marrë zyrtarisht detyrën pasi të dorëzojë letrat kredenciale te Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Eric Wendt do të jetë pasuesi i ambasadores Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin e saj në Shqipëri në vitin 2023. Që prej asaj kohe, Ambasada amerikane në Tiranë është drejtuar nga të ngarkuar me punë, ndërsa procesi për emërimin e një ambasadori të ri u zgjat për shkak të procedurave të konfirmimit në Senat.
Kush është Eric Wendt?
Sipas të dhënave të karrierës së tij, Eric P. Wendt është një oficer i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.
Wendt ishte propozuar më herët edhe për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati./ZËRI