TIRANË- Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, do të mbledhë paraditen e të hënës Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Mbledhja vjen pak ditë pas zhvillimeve të fundit në SHISH, pas shkarkimit të drejtueses Vlora Hyseni, e cila është lënë nën masën "arrest shtëpie".
Ndërkaq, burime bëjnë me dije se çështja e sigurisë kombëtare do të jetë në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar.
Ndërkohë një ditë më parë, kreu i shtetit priti në një takim Ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Më pas, Begaj zhvilloi edhe një takim të veçantë me drejtorin e komanduar të SHISH-it, Elvis Lila. Në këto takime, siç bëri me dije Presidenca, Presidenti Begaj u informua dhe diskutoi me ta mbi çështje të aktualitetit.
Ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni, është lënë nga GJKKO nën masën "arrest shtëpie". Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Ajo dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasit, teksa ndodhej në arrati, duke i përcjellë informacione të klasifikuara sekrete, mbi lëvizjet e strukturave shtetëroe në mënyrë që biznesmeni t'u shpëtonte autoriteteve.
Referuar dosjes hetimore të SPAK, të zbardhur një ditë më parë të cilën ZËRI e disponon, mes tyre rezultojnë mbi 500 komunikime të vazhdueshme gjatë periudhës kur biznesmeni ishte në kërkim, përfshirë telefonata, video-thirrje dhe shkëmbim materialesh. Materiale sekrete janë gjetur edhe në makinën e biznesmenit gjatë kontrolleve të SPAK, më datë 22 korrik.
Hyseni ka pretenduar në SPAK, disa ditë para njoftimit të masës ndaj saj, se kishte komunikuar me Agasin, por në cilësinë e bashkëpunëtorit. Megjithatë, sipas SPAK, nga komunkimet e administruara, nuk rezulton kjo. Sipas SPAK, Agasi është personi që merr dhe dikton informacionin, ndërsa drejtuesja e SHISH nuk kishte vënë në dijeni instancat paralele apo edhe brenda institucionit./ZËRI