Aktualitet

'Jam gati të dëshmoj, ballafaqim', Veliaj kërkesë Ballës: Të ngrihet Komision Hetimor për kërcënimet e Ramës

Në deklaratën e publikuar në rrjete sociale, kryebashkiaku kërkon të hetohet lidhur me faktin nëse transferimi i tij nga Durrësi në burgun e Fiert dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për ta detyruar të pranojë organizimin e protestave në Tiranë dhe të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë.

F.I
'Jam gati të dëshmoj, ballafaqim', Veliaj kërkesë
Erion Veliaj dhe Taulant Balla

TIRANË-Pas letrave dhe deklaratave nëpërmjet avokatit mbrojtës, Erion Veliaj ka ndërmarrë hapin e radhës lidhur me akuzat e ngritura ndaj kryeministrit Edi Rama, pas takimit të tij në burgun e Fierit me Ministrin e Drejtësisë Toni Gogu. Veliaj, i është drejtuar zyrtarisht kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, me kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për pretendimet e tij lidhur me ndërhyrje dhe kërcënime nga kryeministri Edi Rama, nëpërmjet ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Në deklaratën e publikuar në rrjete sociale, kryebashkiaku kërkon të hetohet lidhur me faktin nëse transferimi i tij nga Durrësi në burgun e Fiert dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për ta detyruar të pranojë organizimin e protestave në Tiranë dhe të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë.

Veliaj ka shprehur gatishmëri për të dëshmuar përpara Kuvendit dhe të ballafaqohet me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu. Kryebashkiaku njofton se ka vendosur në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe ka kërkuar ruajtjen e provave dokumentare dhe audiovizive.

DEKLARATË E KRYETARIT TË BASHKISË TIRANË, ERION VELIAJ:

Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.

Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit. Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.

Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari. Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.

Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik.

Veliaj publikoi një letër ku pretendon se gjatë takimit, ministri Toni Gogu i ka përcjellë 3 kërkesa që, sipas tij, vinin nga kryeministri Edi Rama, mes tyre të pranonte përfshirjen në çështjen e “Flamingove-Studentët”, të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t'ia delegonte atë Arbër Hajdarit, si dhe të mos këshillohej më me Plarent Ndrecën. Vetë ministri Gogu ka konfirmuar takimin me Veliaj, por ka mohuar kategorikisht se ka përcjellë mesazhet e pretenduara.

MOS HUMB