TIRANË-Robert Duka, autori i dyshuar për grabitjen e 60 mijë eurove në një filial të Raiffeisen Bank në Tiranë ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen. Gjatë seancës gjyqësore Duka ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar dhe ka kundërshtuar provat e paraqitura nga Prokuroria. Sipas tij automjeti i identifikuar në pamjet e kamerave të sigurisë nuk përbën provë që e lidh atë me grabitjen. Ndërkohë, gjykata po shqyrton kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Para hetuesve pas arrestimit, 50-vjeçari ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se një pjesë të konsiderueshme të parave i ka humbur duke luajtur në kazino, ndërsa 6 mijë euro ua ka dhënë dy miqve në Vlorë për të shlyer borxhet. Ndërkohë në momentin e arrestimit, policia i gjeti 8 200 euro.
50-vjeçari Robert Duka, (i njohur edhe si Albert Duka), u arrestua më 9 nëntor, një javë pas grabitjes së bankës në zonën e Komunës së Parisit. Policia e Tiranës konfirmoi se 50-vjeçari me dy identitete, është autor dhe i grabitjes së një tjetër banke (OTP) më 2 qershor. Ndërkohë që hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të verifikuar nëse i arrestuari ka lidhje me episode të tjera kriminale.
Sipas raportimeve, Duka rezulton një emër i njohur për autoritetet greke. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në një grup të strukturuar kriminal, të akuzuar për grabitjen e 28 bankave në Greqi./ZËRI
