Aktualitet

Apeli i GJKKO rikthen në qeli ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistrin dënohet me 7 vite burg

GJKKO asokohe rrëzoi edhe kërkesën për konfiskimin e pasurive, por me vendimin e Apelit të Posaçëm, Bistrit i konfiskohen sërish 1 milion euro pasuri, 3 apartamente dhe 2 biznese, të cilat shkalla e parë më herët ia kishte kthyer.

F.I
Apeli i GJKKO rikthen në qeli ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistrin
Oltion Bistri

TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit ka prishur vendimin e Shkallës së Parë për ish-shefin e operacionales Oltion Bistrin duke e dënuar përfundimisht me 11 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkon në 7 vite e 4 muaj.

 Trupa gjykuese me relator Dhimitër Lara e anëtar Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi vendosën ta dënojnë edhe për pastrim parash e korrupsion pasiv. Për këto akuza Gjykata e Posaçme e kishte shpallur të pafajshëm, ish-shefin e Operacionale i cili u arrestua me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit "Metamorfoza".

Në vendimin e rreth një viti më parë Bistri u shpall fajtor vetëm për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, për të cilat mori 3 vite burg, që pas uljes përfundoi në 2 vite burg. Ai fitoi lirinë pasi sipas vendimit, koha në paraburgim ishte më e gjatë se dënimi. GJKKO asokohe rrëzoi edhe kërkesën për konfiskimin e pasurive, por me vendimin e Apelit të Posaçëm, Bistrit i konfiskohen sërish 1 milion euro pasuri, 3 apartamente dhe 2 biznese, të cilat shkalla e parë më herët ia kishte kthyer.

Me vendimin e sotëm Bistri akuzohet për korrupsion, zbulimin e të dhënave sekrete, si dhe pastrimi i produkteve të veprës apo veprimtarisë kriminale. Ndaj tij ka rënë vetëm akuza për pjesëmarrje në grup kriminal. Bistri u arrestua nga SPAK më 27 korrik 2023 në kuadër të operacionit të koduar "Metamorfoza"në kuadër të operacionit të koduar "Metamorfoza". Aksioni erdhi pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin e koduar Sky ECC dhe akuzave për dekonspirim të operacioneve policore.

Ndërkohë për Edmond Prekën, Astmer Bilalin dhe Behar Bajrin janë lënë në fuqi dënimet e shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme./ZËRI

MOS HUMB