TIRANË- Dy persona të shpallur në kërkim janë arrestuar në Rinas, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje dhe dalje të Republikës së Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Policisë, në pranga ka rënë 31-vjeçari turk, Enes Uguz, i cili akuzohet për mashtrim. Ndaj 31-vjeçarit, autoritetet turke kanë lëshuar urdhër arresti për veprën penale “Mashtrimi i kryer gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare nga një tregtar, nga një drejtor i një shoqërie tregtare ose nga një person që vepron në emër të një shoqërie, ose nga një drejtues i një kooperative në kuadër të veprimtarisë së koperativës”.
Po ashtu, në pranga ka rënë dhe një 27-vjeçar shqiptar, Edison Vukaj. Ky i fundit, siç bën me dije Policia, ishte shpallur në kërkim pasi është i dënuar me 3 vite e 4 muaj bur për "vjedhje me dhunë".
Njoftimi i plotë:
Rinas/Kontrolle dhe verifikime nga shërbimet e Policisë Kufitare, vihen në pranga 2 shtetas në kërkim.
-Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 1 shtetas i akuzuar nga autoritetet turke, për mashtrim.
-Kapet dhe ndalohet 1 shtetas në kërkim, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë bërë të mundur kapjen në dalje të RSh-së dhe arrestimin e shtetasit turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-E. U., 31 vjeç, banues në Turqi.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, Turqi, pasi Gjykata Penale e Shkallës së Parë Nr. 2 e Gebzes, Turqi, më datë 31.07.2026, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprën penale “Mashtrimi i kryer gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare nga një tregtar, nga një drejtor i një shoqërie tregtare ose nga një person që vepron në emër të një shoqërie, ose nga një drejtues i një kooperative në kuadër të veprimtarisë së koperativës”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet turke, po kryen procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Turqi.
-Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kapën në hyrje të RSh-së, shtetasin në kërkim E. V., 27 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 03.06.2025, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale "Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.