SPANJË- Luka Beqiraj është 39-vjeçari shqiptar që u ekzekutua ditën e djeshme në Spanjë. Ende nuk dihen rrethanat dhe motivet e ngjarjes, ndërsa 39-vjeçari nga Vlora rezulton të ketë pasur precedentë penalë në Shqipëri dhe Itali.
Beqirja u ekzektua në mes të ditës në Orihuela Costa të Spanjss, teksa autori i është afruar dhe e ka qëlluar me armë zjarri nga një distancë e afërt. Menjëherë pas vrasjes, ai është larguar me shpejtësi nga vendngjarja me një monopatinë elektrike.
Sipas mediave spanjolle, mënyra se si është kryer vrasja ka ngritur dyshime te hetuesit se mund të bëhet fjalë për një krim me pagesë, për larje hesapesh. Gjithashtu, po hetohet mundësia e lidhjes së krimit me rrjetet e organizuara kriminale që veprojnë në këtë pjesë të Spanjës.
Luka Beqiraj-përplasjet me drejtësinë
Beqiraj rezulton një emër i njohur për autoritet shqiptare. Emri i tij rezulton i përfshirë në disa ngjarje që prej vitit 2016, kur u arrestua në Vlorë, në moshën 28-vjeçare, për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje.
Por, 3 vite më vonë, emri i tij doli në një tjetër dosje. Në vitin 2019, Beqiraj u arrestua në kuadër të një operacioni të përbashkët antidrogë mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Operacioni kishte në shënjestër një rrjet kriminal të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të drogës, armëve dhe municioneve nga Shqipëria drejt Italisë. Aksioni u zhvillua njëkohësisht në të dyja vendet, ndërsa në Vlorë, përveç Beqirajt, u arrestuan edhe pesë persona të tjerë.
Në vitin 2020, Luka Beqiraj, atëherë 32 vjeç, u dënua me katër vite e gjysmë burg dhe një gjobë prej 24 mijë eurosh për përfshirjen në veprimtarinë e trafikut të drogës.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para orës 13:00, në kompleksin sportiv dhe argëtues Playa Flamenca Sport Club, në rrugën Nicolas de Bussi, në zonën Playa Flamenca.
Siç raportohet nga mediat spanjolle, viktima Luka Beqiraj ishte ulur në tarracën e një lokali brenda kompleksit, kur një person iu afrua dhe e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Dëshmitarët njoftuan autoritetet, ndërsa në vendngjarje mbërritën efektivët e Gardës Civile spanjolle. Trupi i viktimës mbeti pranë tarracës së lokalit, deri në mbërritjen e autoriteteve gjyqësore, të cilat urdhëruan transportimin e tij në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Alicante.
Sot, pritet të kryhet autopsia, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ekzekutimit dhe për të identifikuar autorin./ZËRi
