
Politikani malazez Vladislav Dajkoviç ka reaguar pas dënimit me tre vite burg nga një gjykatë shqiptare në shkallën e parë, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të dorëzohet vullnetarisht para autoriteteve shqiptare. Kreu i partisë 'Mali i Zi i Lirë' bëri të ditur se do ta apelojë vendimin, ndërsa shprehu shqetësimin se mund të ekstradohet drejt Shqipërisë nëse ndaj tij lëshohet një urdhër arresti.
Në një konferencë për mediat Dajkoviç pretendoi se dënimi lidhet me një fotografi të publikuar gjashtë vite më parë në Shkodër, ku ai shfaqej me flamurin trengjyrësh malazez, duke e cilësuar qytetin si 'qytet të lashtë serb'. Sipas tij, gjykata e ka dënuar për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes kombëtare, në bazë të nenit 265 të Kodit Penal.
Politikani malazez e konsideroi çështjen me prapavijë politike dhe kundërshtoi arsyetimin mbi të cilin është mbështetur vendimi gjyqësor. Ai këmbënguli se deklarata e tij kishte qenë një referim historik dhe jo nxitje e urrejtjes.
“Unë deklarova një fakt historik. Shkodra ishte me të vërtetë një qytet serb për shekuj me radhë. Nëse duhet të shkoj në burg për këtë, atëherë i gjithë sistemi arsimor malazez, i cili na detyroi të mësonim përmendësh këngë si ‘Ndërtimi i Shkodrës në Bojanë’ dhe ‘Martesa e Mbretit Vukashin’, duhet të arrestohet gjithashtu” deklaroi Dajkoviç.
Gjatë prononcimit të tij ai pretendoi gjithashtu se ndaj tij po zbatohen standarde të ndryshme krahasuar me raste të tjera në Mal të Zi. Në këtë kontekst, përmendi edhe rastet e valëvitjes së flamujve të të ashtuquajturës 'Shqipëri e Madhe' nga qytetarë shqiptarë duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si trajtohen raste të tilla.
Dajkoviç kritikoi edhe mungesën e mbështetjes ligjore nga autoritetet malazeze. Ai bëri të ditur se do të kërkojë një takim me ministrin Bojan Božović për të diskutuar çështjen dhe mundësinë e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.
“Nuk kam frikë nga gjykatat shqiptare, por kam frikë nga tradhtarët që janë të gatshëm të më ekstradojnë nëse lëshohet një urdhër arresti”, u shpreh politikani malazez.
Në përfundim ai përsëriti se nuk do t'u dorëzohet vullnetarisht autoriteteve shqiptare dhe se do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të kundërshtuar vendimin e shkallës së parë. Ndërkohë, deklaratat e tij janë raportuar edhe nga mediat malazeze./ZËRI