Aktualitet

Dosja '5D'/ GJKKO i ndryshon 'kursin' SPAK-ut, rëndon akuzat për ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Konkretisht, për Redi Mollën Mariglen Qaton Nestor Muharremllarin dhe shoqërinë '5D' sh.p.k., gjykata ka kërkuar që akuza të riformulohet si 'Mashtrim me pasoja të rënda' në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, në shtatë raste.

Redaksia Zëri

Dosja '5D'/ GJKKO i ndryshon 'kursin' SPAK-ut, rëndon

TIRANË- Një zhvillim i ri është shënuar në procesin gjyqësor për dosjen '5D' ku të pandehur janë ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës Redi Molla dhe Mariglen Qato. Sipas raportimit të Alfapress.al, gjatë seancës së 9 nëntorit, Gjykata e Posaçme ka orientuar SPAK- un drejt një cilësimi më të rëndë të akuzave për disa prej të pandehurve duke kërkuar që çështja të mos shqyrtohet më vetëm në kuadër të korrupsionit pasiv.

Konkretisht, për Redi Mollën Mariglen Qaton Nestor Muharremllarin dhe shoqërinë '5D' sh.p.k., gjykata ka kërkuar që akuza të riformulohet si 'Mashtrim me pasoja të rënda' në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, në shtatë raste.

Për këtë qëllim trupa gjykuese e përbërë nga Flora Hajredinaj,Erion Bani dhe Flojera Davidhi i ka lënë kohë deri më 24 nëntor mbrojtjes për të paraqitur qëndrimin e saj lidhur me ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale. Ky zhvillim vjen në një proces që është shtyrë disa herë që prej nisjes së shqyrtimit në themel.

Dosja '5D' është një prej çështjeve të rëndësishme të hetuara nga SPAK ku në qendër të akuzës qëndron dyshimi se Redi Molla dhe Mariglen Qato gjatë kohës që mbanin poste drejtuese në institucionet në varësi të Bashkisë së Tiranës kontrollonin në mënyrë të fshehtë kompaninë '5D Konstruksion'. Përmes personave të tjerë, të regjistruar si ortakë ata dyshohet se kishin ruajtur pronësinë dhe kontrollin mbi aktivitetin e shoqërisë.

Sipas hetimeve të SPAK kompania ka përfituar 12 tendera publikë, me një vlerë prej rreth 192.7 milionë lekësh, të zhvilluar kryesisht nga Ujësjellës- Kanalizime Tiranë, Bashkia e Tiranës, 'Tirana Parking' dhe 'Klubi Sportiv Tirana'. Prokuroria pretendon se procedurat janë manipuluar për të favorizuar kompaninë, ndërsa përfitimet financiare janë përdorur më pas për blerjen e pasurive dhe financimin e aktiviteteve të tjera tregtare.

Në këtë skemë sipas akuzës kanë pasur rol edhe ish-zyrtarë të tjerë, mes tyre Taulant Tushe, Enton Punavia, Julian Zanaj dhe Albano Janku, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe favorizim të kompanisë.

Me ndryshimin e propozuar të cilësimit juridik, procesi për dosjen '5D' merr një tjetër drejtim, ndërsa qëndrimi i mbrojtjes në seancën e radhës do të jetë vendimtar për vijimin e shqyrtimit të këtyre akuzave. Alfapress.al.

MOS HUMB