Politikë

"Territorialja"/ "JO" shkrirjes së Patosit! Aktorë, avokatë e shkrimtarë i drejtohen Kuvendit me LETËR, ja çfarë kërkojnë

Ata janë shprehur kundër këtij propozimit, ndërsa përmes një letre, drejtuar Kuvendit, kërkojnë që të bëhet publike një analizë e plotë dhe e verifikueshme mbi funksionalitetin e Bashkisë Patos.

zh.ll
"Territorialja"/ "JO" shkrirjes së Patosit!
foto ilustruese

FIER- Një grup intelektualësh të njohur, aktorë, avokatë dhe shkrimtarë, kanë kundërshtuar shkrirjen e Bashkisë së Patosit dhe përfshirjen e saj në Bashkinë e Fierit.

Sipas draftit të PS, propozohet: Patos + Fier → Bashkia Fier.

Ata janë shprehur kundër këtij propozimit, ndërsa përmes një letre, drejtuar Kuvendit, kërkojnë që të bëhet publike një analizë e plotë dhe e verifikueshme mbi funksionalitetin e Bashkisë Patos.

Sipas tyre, është e rëndësishme që të analizohet kapaciteti i saj administrativ, struktura ekonomike e territorit, kostot dhe përfitimet e një bashkimit të mundshëm me Fierin, etj.

“Në kuadër të procesit të Reformës Administrativo-Territoriale, paraqesim këtë parashtresë lidhur me statusin territorial dhe administrativ të Bashkisë Patos.

Komuniteti i Patosit kërkon që, përpara çdo vendimmarrjeje për ndryshimin e statusit të kësaj bashkie ose për bashkimin e saj me Bashkinë Fier, të kryhet dhe të bëhet publike një analizë e plotë, objektive dhe e verifikueshme mbi:

funksionalitetin e Bashkisë Patos;

kapacitetin e saj administrativ;

kapacitetin financiar;

strukturën ekonomike të territorit;

karakteristikat demografike;

veçoritë gjeografike;

aksesin e qytetarëve në shërbime;

historinë administrative;

identitetin shoqëror dhe kulturor;

ndikimin e industrisë së naftës dhe gazit;

kostot dhe përfitimet e një bashkimi të mundshëm me Fierin;

alternativat ndaj bashkimit.

Pozicioni i komunitetit është se Bashkia Patos duhet të ruhet si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore”, thuhet në letër.

"Territorialja"/ "JO" shkrirjes së Patosit!
letra drejtuar kuvendit

Reforma e re territoriale ka nxitur protesta dhe kundërshtime nga disa bashki kanë nisur që pas publikimit të draftit.

Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit./ZËRI

Poll

MOS HUMB