Politikë

Shqipëria drejt misionit në Gaza, 106 vota pro/ Nufi: Qëndrojmë krah SHBA-së në përpjekjet për paqe

Me 106 vota pro deputetët i dhanë dritën jeshile ligjit për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura shqiptare në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.

M.K.
Shqipëria drejt misionit në Gaza, 106 vota pro/ Nufi:
ERMAL NUFI

TIRANË- Një hap i ri për përfshirjen e Shqipërisë në përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës është miratuar këtë të enjte në Kuvend. Me 106 vota pro deputetët i dhanë dritën jeshile ligjit për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura shqiptare në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.

Sipas parashikimeve të ligjit, Shqipëria mund të kontribuojë me deri në 40 ushtarakë në këtë mision. Angazhimi i tyre do të lidhet me mbështetjen e operacioneve të sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtjen e personelit objekteve dhe infrastrukturës së misionit, si dhe mbështetjen e operacioneve humanitare.

Pjesë e detyrave do të jetë edhe monitorimi dhe raportimi i situatës së sigurisë, krahas funksioneve të tjera që përcaktohen në përputhje me mandatin e misionit dhe në kuadër të Bordit të Paqes.

Pas miratimit të ligjit ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi e cilësoi vendimin si një konkretizim të angazhimit të Shqipërisë për paqen dhe theksoi partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Një vendim që e shndërron angazhimin e Shqipërisë për paqen në një kontribut konkret në terren.

Si aleat i vendosur Shqipëria qëndron krah për krah me  SHBA në përpjekjet për paqe me përgjegjësi, solidaritet dhe kontribut për sigurinë ndërkombëtare”, shkroi ministri Nufi në një postim në rrjetet sociale./ZËRI

Poll

MOS HUMB