TIRANË- Në Tiranë sot pritet të zhvillohet protestë kombëtare kundër qeverisë. Në kuadër të strategjisë së re të organizimit, protestuesit kanë paralajmëruar një tubim kombëtar sot në orën 14:00. Tubimi pritet të nisë përpara Ministrisë së Arsimit, për të vijuar më pas te Kryeministria gjatë orëve të mbrëmjes.
Pjesë e protestës pritet të bëhen studentë dhe qytetarë të tjerë. Grupimi “Studentët në protestë” ka deklaruar gjithashtu se do të mbështesë edhe protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, pavarësisht se kur organizohen.
Pak ditë më parë, protestuesit njoftuan ndryshimin e strategjisë së organizimit. Ata do të zhvillojnë protesta kombëtare dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në orën 14:00.
“Pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, pushteti në Shqipëri vazhdon të injorojë kërkesën e revoltës qytetare: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Autokracia ka lëshuar rrënjë të thella në Shqipëri dhe ne jemi të përgatitur për një betejë të gjatë. Prandaj, po hyjmë në një fazë të re organizimi.
Për t’i dhënë rrjetit studentor dhe mbështetësve tanë mundësinë të japin maksimumin në çdo ditë proteste, studentët kanë vendosur se protestat tona kombëtare do të vijojnë dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë në orën 14.00, me një intensitet që nuk mund të injorohet.
Ne vijojmë të mbështesim protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, kurdo që të organizohen ato.
Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura", thuhet në deklaratë./ZËRI