Politikë

Emërimi dhe dekretimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH, PD 146 pyetje Begajt dhe Ramës: Çfarë kriteresh e verifikimesh u ndoqën?

Në kërkesën që përmban 146 pyetje është depozituar nga nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Klevis Balliu, kërkohet sqarim dhe informacion zyrtar nga Kryeministria dhe Presidenca mbi kriteret e përdorura për propozimin dhe miratimin e Hysenit. 

zh.ll
Emërimi dhe dekretimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH, PD 146
foto ilustrim: PD-rama-begaj dhe vlora hyseni

TIRANË- Partia Demokratike i është drejtuar zyrtarisht Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Bajram Begaj me kërkesë për informacion mbi kriteret dhe procedurat që çuan në propozimin dhe dekretimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH.

Në kërkesën që përmban 146 pyetje është depozituar nga nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Klevis Balliu, kërkohet sqarim dhe informacion zyrtar nga Kryeministria dhe Presidenca mbi kriteret e përdorura për propozimin dhe miratimin e Hysenit. 

Në pyetjet drejtuar Ramës, opozita kërkon të dijë me detaje mbi propozimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH, që nga identifikimi i saj, motivacioni i propozimit, referenca dhe verfikimi i kandidaturës, etj. Në vijim, kërkon të dijë edhe momentin kur është informuar Kryeministria mbi masën ndaj Hysenit, motivacionin e plotë të shkarkimit dhe nëse janë marrë masa konkrete për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar pas largimit të shtetases Vlora Hyseni nga detyra?

Pyetjet e plota drejtuar Kryeministrit Edi Rama

I. Lidhur me procedurën e identifikimit dhe propozimit

1.  Kur është identifikuar për herë të parë shtetasja Vlora Hyseni si kandidate për detyrën e Drejtorit të SHISH?

2.  Nga kush është propozuar fillimisht kandidatura e saj pranë Kryeministrit, qoftë në pozicionin e këshilltares për sigurinë kombëtare, ashtu edhe të Drejtorit të SHISH?

3.  A ka ekzistuar një procedurë formale për identifikimin, shqyrtimin dhe vlerësimin e kandidatëve?

4.  Sa kandidatura janë shqyrtuar dhe cilat kanë qenë kriteret e përdorura për vlerësimin e tyre?

5.  A ekziston një dosje administrative e procesit të përzgjedhjes së kandidaturave?

6.  A është hartuar ndonjë relacion, raport, analizë, memorie, opinion juridik ose vlerësim tjetër përpara propozimit të saj?

7.  Kur është përgatitur propozimi zyrtar i Kryeministrit drejtuar Presidentit të Republikës?

8.  Cili ka qenë motivacioni i plotë i propozimit?

9.   A është mbështetur propozimi në dokumentacion zyrtar të institucioneve shqiptare dhe të huaja apo vetëm në vlerësimin personal të Kryeministrit?

10. Në vijim të deklarimit tuaj se kandidatura e shtetases Hyseni është mbështetur edhe në referenca të shërbimeve partnere:

(i)  Cilat shërbime kanë dhënë këto referenca?

(ii)  Kur janë marrë këto referenca?

(iii)  Në çfare forme?

(iv)  Kush i ka vlerësuar?

11.  A janë kërkuar posaçërisht referenca për shtetasen Hyseni nga shërbimet partnere përpara propozimit?

12.  A është kërkuar informacion nga shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë të vendeve aleate dhe partnere?

13.  A është kërkuar informacion nga autoritetet e Republikës së Kosovës lidhur me veprimtaritë e mëparshme të shtetases Hyseni?

14. Cilat institucione të Republikës së Kosovës janë kontaktuar?

15.  A keni kërkuar informacion nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me periudhën e ushtrimit të detyrës së zëvëndësdrejtorit nga shtetasja Hyseni?

16.  A është kërkuar informacion mbi rrethanat e largimit të saj nga detyra në institucionet e sigurisë së Kosovës?

17.  A ështëkërkuar informacion mbi ndonjë verifikim sigurie, procedim administrativ, disiplinor, penal apo hetim të mëparshëm ndaj saj?

18. Nëse është marrë informacion nga autoritetet e Kosovës, kur është marrë dhe cili ka qenë konkluzioni i tij?

II. Lidhur me verifikimet e kryera përpara emërimit

19. Cilat institucione shqiptare kanë kryer verifikimin e kandidaturës së shtetases Hyseni?

20.  Kur ka filluar dhe ka përfunduar ky verifikim?

21.  A është kryer një verifikim i posaçëm i sigurisë dhe integritetit?

22. Cilat institucione shqiptare janë kontaktuar?

23.  A janë konsultuar SHISH, SHIU, Policia e Shtetit, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, AMP, AKSIK ose institucione të tjera ligjzbatuese?

24.  A është kërkuar informacion nga SPAK përpara propozimit të saj?

25.  Nëse po, në çfarë date dhe çfarë informacioni është marrë?

26.  A ka pasur, në momentin e propozimit, ndonjë hetim, procedim, verifikim ose material të administruar nga SPAK ku shtetasja Hyseni përmendej direkt apo indirekt?

27.  A është kontrolluar ekzistenca e kallëzimeve, referimeve apo materialeve të tjera hetimore lidhur me të?

28.  A është kryer ndonjë verifikim mbi kontaktet e saj me persona të përfshirë në hetime apo procedime penale?

29.  Nga verifikimet e kryera, a ka rezultuar ndonjë kontakt apo marrëdhënie personale, profesionale, financiare apo të ndonjë natyre tjetër me shtetasin Ergys Agasi?

30.  Nëse po, çfarë informacioni është administruar dhe cili ka qenë konkluzioni i tij?

31.  A është kryer ndonjë vlerësim për konflikt të mundshëm interesi në ushtrimin e detyrës nga shtetasja Hyseni?

32.  A është hartuar një vlerësim formal mbi besueshmërinë dhe integritetin e kandidaturës së saj?

33.  Nëse po, cilat kanë qenë përfundimet e këtij vlerësimi?

III. Lidhur me informacionet e administruara nga partnerët ndërkombëtarë

34.  A ka kërkuar Kryeministria informacion nga partnerët ndërkombëtarë për shtetasen Vlora Hyseni?

35.  A është kërkuar informacion nga strukturat përkatëse të NATO-s?

36.  A është marrë ndonjë informacion nga shërbimet partnere lidhur me besueshmërinë e saj?

37.  A kanë pasur partnerët ndonjë rezervë apo paralajmërim?

38.  A kanë komunikuar partnerët ndonjë shqetësim lidhur me kontakte, marrëdhënie apo veprimtari të shtetases Hyseni?

39.  A ka pasur ndonjë informacion të klasifikuar nga partnerët që ka qenë në dispozicion të Kryeministrit përpara emërimit?

40. Nëse po, kërkohet të identifikohet dokumenti, data, instituconi dërgues dhe niveli i klasifikimit në masën e lejuar nga ligji.

IV.  Lidhur me informacionet e administruara gjatë ushtrimit të detyrës

41. Gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës nga shtetasja Hyseni, a ka marrë Kryeministri informacion nga SHISH, SPAK, Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, partnerët ndërkombëtarë ose institucione të tjera lidhur me veprimtarinë e saj?

42.  A është informuar Kryeministri për ndonjë dyshim mbi respektimin e rregullave të informacionit të klasifikuar?

43.  A është informuar për ndonjë incident të sigurisë së informacionit?

44.  A është informuar për ndonjë kontakt të papërshtatshëm të saj me persona jashtë strukturave të autorizuara?

45.  A është informuar ndonjëherë për kontakte me shtetasin Ergys Agasi?

46.  Nëse po, kur është marrë për herë të parë ky informacion dhe nga cili institucion?

47.  A është kryer ndonjë verifikim pas marrjes së këtij informacioni?

48.  A është informuar apo ka pasur dijeni Kryeministri për ekzistencën e një dokumenti të përgatitur nga një punonjës i SHISH lidhur me implikimin e shtetases Vlora Hyseni në procedurat e prokurimit publik të AKSHI?

49.  A është informuar Kryeministri se shtetasja Hyseni mund të ishte subjekt i një hetimi penal?

50.  Nëse po, kur është informuar dhe nga cili autoritet?

51.  A e ka informuar vetë shtetasja Hyseni Kryeministrin se ishte subjekt i ndonjë hetimi, verifikimi apo procedure?

52.  A e ka informuar shtetasja Hyseni Kryeministrin se ishte marrë në pyetje nga hetuesit e BKH-së?

53.  Nëse po, kur dhe në çfarë rrethanash?

54.  A ka kërkuar Kryeministri ndonjë raport apo verifikim të posaçëm nga SHISH lidhur me këto çështje?

V. Lidhur me kontaktet me shtetasin Ergys Agasi 

55.  A ka pasur Kryeministri dijeni, përpara zhvillimeve të fundit, për ekzistencën e kontakteve të shtetases Vlora Hyseni dhe shtetasit Ergys Agasi?

56.  A ka qenë Kryeministri në dijeni për takime të tyre?

57.  A ka qenë në dijeni për komunikime telefonike, elektronike ose të tjera?

58.  A ka qenë në dijeni për ndonjë komunikim që lidhej me çështje institucionale, qeveritare, të drejtësisë, policisë ose sigurisë?

59.  A ka diskutuar ndonjëherë shtetasja Hyseni me Kryeministrin lidhur me shtetasin Ergys Agasi?

60.  A ka kërkuar ndonjëherë ndërhyrjen ose ndihmën e Kryeministrit për çështje që lidheshin me të?

61.  A ka kërkuar Kryeministri nga ndonjë institucion informacion mbi natyrën e marrëdhënieve të shtetasve Hyseni-Agasi?

VI.  Lidhur me informacionet e nga NATO dhe partnerët ndërkombëtarë gjatë detyrës

62.  A ka marrë Kryeministria gjatë periudhës Prill 2023 – Shtator 2026 raporte apo komunikime nga NATO lidhur me shtetasen Vlora Hyseni?

63.  A ka marrë informacion mbi sigurinë e informacionit të klasifikuar në SHISH?

64.  A ka marrë informacion nga partnerët mbi ndonjë risk të mundshëm që lidhej me shtetasen Hyseni?

65.  A ka pasur ndonjë rezervë nga partnerët lidhur me aksesin e saj në informacion të klasifikuar?

66.  A kanë kërkuar partnerët ndonjë masë korrigjuese apo verifikim shtesë?

VII. Lidhur me shkarkimin nga detyra e Drejtorit të SHISH

67.  Kur ka marrë Kryeministri informacionin e parë lidhur me masat e sigurisë ndaj shtetases Hyseni?

68.  Cili ka qenë Kur ka vendosur të propozojë shkarkimin e saj?

69.  Motivacioni i plotë i shkarkimit nga detyra?

70.  A është bazuar propozimi për shkarkim vetëm në masat e sigurisë apo edhe në informacione të tjera?

71.  Nëse po, cilat institucione i kanë këto informacione në dispozicion?

72.  A është konsultuar Presidenti i Republikës përpara propozimit?

73.  A është kërkuar ndonjë raport nga ana e SHISH?

74.  A është bërë ndonjë vlerësim mbi dëmin e mundshëm ndaj sigurisë kombëtare?

75.  A është bërë ndonjë vlerësim mbi informacionin e klasifikuar që mund të jetë ekspozuar apo kompromentuar?

76.  A janë informuar paraprakisht NATO dhe partnerët ndërkombëtarë?

77.  A janë marrë masa konkrete për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar pas largimit të shtetases Vlora Hyseni nga detyra?

78. Nëse po, cilat janë këto masa dhe kur janë marrë ato?

Ndërkohë, nga Presidenti, opozita kërkon të dijë marrjen dhe shqyrtimin e propozimit të Vlora Hysenit dhe me çfarë dokumenti është paraqitur propozimi. Gjithashtu, kërkohet përgjigje edhe gjatë mandatit të Hysenit, nëse dhe sa raporte zyrtare ka marrë Presidenti nga Drejtori i SHISH.

Pyetjet e plota drejtuar Presidentit Bajram Begaj

I.  Lidhur me marrjen dhe shqyrtimin e propozimit 

1.  Në çfarë date i është paraqitur Presidentit propozimi i Kryeministrit për emërimin e shtetases Vlora Hyseni?

2.  Çfarë dokumentacioni ka shoqëruar propozimin?

3.  A ka përfshirë dokumentacioni CV-në e plotë dhe historikun profesional të kandidates?

4.  A ka përfshirë informacion mbi veprimtarinë e saj të mëparshme në institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës?

5.  A ka përfshirë informacion mbi rrethanat e largimit të saj nga detyrat e mëparshme?

6.  A ka përfshirë dokumentacion mbi verifikimet e sigurisë?

7.  A ka përfshirë referenca nga shërbimet partnere?

8.  A ka përfshirë informacion nga autoritetet e Republikës së Kosovës?

9.  A ka kërkuar Presidenti informacion apo dokumentacion shtesë nga Kryeministri?

10. Nëse po, cilat informacione dhe dokumente?

11.  A ka kërkuar Presidenti informacion nga SHISH?

12.  A ka kërkuar informacion nga institucionet ligjzbatuese?

13.  A ka kërkuar informacion nga SPAK?

14.  A ka kërkuar informacion nga Prokuroria e Përgjithshme?

15.  A ka kërkuar informacion nga Policia e Shtetit, AMP, AKSIK ose institucione të tjera?

II.  Lidhur me informacionet e administruara nga Republika e Kosovës

16.  A ka kërkuar Presidenti informacion nga autoritetet e Republikës së Kosovës lidhur me shtetasen Hyseni?

17.  A është kontaktuar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI)?

18.  A është kërkuar informacion mbi periudhën e saj të shërbimit?

19.  A është kërkuar informacion mbi arsyet e largimit të saj nga detyra?

20.  A është kërkuar informacion mbi verifikime të mëparshme të sigurisë?

21.  A është kërkuar informacion mbi procedime administrative, disiplinore, penale ose hetimore?

22.  A është kërkuar informacion mbi kontakte të mundshme me persona që paraqisnin risk sigurie?

23.  Kur janë marrë përgjigjet nga autoritetet kosovare?

24.  Çfarë konkluzionesh përmbanin ato?

25.  A kanë pasur ndonjë rezervë, paralajmërim apo informacion që kërkonte verifikim të mëtejshëm?

26.  A janë administruar këto përgjigje në dosjen e kandidaturës së propozuar?

III.  Lidhur me informacionet e administruara nga partnerët ndërkombëtarë

27.  A ka marrë Presidenti referenca nga shërbimet partnere lidhur me shtetasen Hyseni?

28.  Nëse po, cilat institucione kanë dhënë këto referenca?

29.  Në çfarë date janë marrë?

30.  A kanë qenë me shkrim?

31.  A kanë pasur këto referenca ndonjë rezervë ose kufizim?

32.  A ka kërkuar Presidenti verifikim të mëtejshëm të tyre?

33.  A ka marrë Presidenti informacion nga NATO ose strukturat e saj?

34.  A ka marrë informacion mbi besueshmërinë e shtetases Hyseni për administrimin e informacionit të klasifikuar?

35.  A ka pasur ndonjë paralajmërim ose shqetësim nga partnerët ndërkombëtarë?

IV.  Lidhur me informacionet e administruara gjatë ushtrimit të detyrës 

36.  Sa raporte zyrtare ka marrë Presidenti nga Drejtori i SHISH gjatë mandatit të shtetases Hyseni?

37.  Sa prej tyre kanë qenë raporte periodike dhe sa raporte të posaçme?

38.  A ka raportuar ndonjëherë Drejtori i SHISH mbi incidente të sigurisë së informacionit?

39.  A ka raportuar mbi rrjedhje të mundshme të informacionit të klasifikuar?

40.  A ka raportuar mbi kontakte të personelit të SHISH me persona të paautorizuar?

41.  A ka pasur ndonjë raport që lidhej drejtpërdrejt ose indirekt me shtetasen Hyseni?

42.  A ka marrë Presidenti ndonjë informacion nga SPAK gjatë mandatit të saj?

43.  A ka marrë ndonjë informacion nga partnerët ndërkombëtarë?

44.  A ka marrë ndonjë informacion nga autoritetet e Kosovës?

45.  A ka marrë ndonjë informacion lidhur me shtetasin Ergys Agasi dhe marrëdhëniet e tij me shtetasen Hyseni?

46.  A ka kërkuar Presidenti ndonjëherë sqarim nga Drejtori i SHISH lidhur me këto çështje?

47.  A ka kërkuar Presidenti ndonjëherë një verifikim të posaçëm lidhur me akuzat e ngritura ndaj shtetases Vlora Hyseni nga opozita parlamentare dhe mediat?

V.  Lidhur me komunikimet institucionale me Kryeministrin

48.  Sa herë është konsultuar Presidenti me Kryeministrin lidhur me veprimtarinë e shtetases Hyseni?

49.  A ka pasur komunikime të posaçme mbi integritetin ose besueshmërinë e saj?

50.  A ka kërkuar Presidenti informacione shtesë nga Kryeministri?

51.  A ka marrë nga Kryeministri informacion lidhur me kontaktet e shtetases Vlora Hyseni me shtetasin Ergys Agasi?

52.  A ka marrë informacion nga Kryeministri lidhur me hetime ose verifikime të mundshme?

53.  A ka diskutuar me Kryeministrin mbi informacionet e marra nga autoritetet e Kosovës?

54.  A ka diskutuar me Kryeministrin mbi informacionet e partnerëve ndërkombëtarë?

VI. Lidhur me shkarkimin nga detyra të shtetases Vlora Hyseni

55.  Në çfarë date i është paraqitur Presidentit propozimi për shkarkimin e znj. Hyseni?

56.  Çfarë dokumentacioni shoqëronte propozimin?

57.  A përmbante propozimi informacion mbi masat e sigurisë ndaj saj?

58.  A përmbante informacion nga SPAK?

59.  A përmbante informacion mbi hetimin penal?

60.  A përmbante informacion mbi ndonjë komprometim të mundshëm të informacionit të klasifikuar?

61.  A kërkoi Presidenti informacion shtesë përpara dekretimit të shkarkimit?

62.  A u konsultua Presidenti paraprakisht me Kryeministrin?

63.  A u konsultua Presidenti me institucione të tjera të sigurisë?

64.  A u kërkua ndonjë informacion nga SPAK ose Prokuroria?

65.  A u konsultuan partnerët ndërkombëtarë?

66.  A u verifikua nëse shtetasja Hyseni kishte informuar më parë Kryeministrin ose Presidentin për ekzistencën e ndonjë hetimi?

67.  A u verifikua nëse ajo kishte deklaruar më parë ekzistencën e kontakteve me shtetasin Ergys Agasi?

68.  A u krye ndonjë vlerësim mbi pasojat e mundshme për sigurinë kombëtare?

Vlora Hyseni ishte emëruar në krye të SHISH në prill 2023 dhe, deri përpara shkarkimit, drejtonte institucionin.  Hyseni kishte punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Fillimisht, ajo kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Por, më 30 qershor të vitit 2021, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkarkuan Vlora Hysenin nga detyra e zëvendësdrejtores.

Sot, pas më shumë se tre vitesh në krye të SHISH, Vlora Hyseni do duhet të përballet me akuzat e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e “AKSHI”.

Aktualisht, Vlora Hyseni ndodhet nën masën "arrest shtëpie" për akuzat “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Sipas SPAK, Hyseni dyshohet se ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi, teksa ai ndodhej në kërkim, duke i përcjellë informacione të klasifikuara shtetërore. 

Në kuadër të hetimit në pranga kanë rënë edhe Fatjon Kalluçi, shef tek laboratori Shkencor i Policisë, si edhe Embro Sulejmani, kryekamerieri i lokalit te rezidenca qeveritare në Durrës, i cili dyshohet se ka fshirë kamerat e sigurisë pas arrestimit të Ergys Agasit për të fshehur gjurmët e tij në këto ambiente. Në dorën e SPAK kanë rënë disa materiale sekrete të SHISH, ku 9 prej tyre janë gjetur në makinën e Agasit, në kuadër të kontrolleve në “Equos Resort” më datë 22 korrik. Me urdhër të GJKKO kontrolle u kryen edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda./ZËRI

Poll

MOS HUMB