TIRANË- Pas plagosjes së deputetit demokrat Kliti Hoti me plumb gome në shpatull gjatë protestës, kanë ardhur reagimet e para nga Partia Demokratike.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka dënuar incidentin, duke e cilësuar atë si një sulm politik, me qëllim vrasjen e deputetit të Shkodrës dhe ka paralajmëruar përgjigje.
"Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë sulm kriminal me qëllim vrasjen e deputetit të Shkodrës Dr. Kliti Hoti dhe garanton padrinon Edi Rama se do të marrë përgjigjen e merituar! Demokratë e demokrate të gjithë në kembë! O sot o kurrë", shkroi Berisha.
Reagim ka ardhur edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili ka paralajmëruar përgjigje ligjore dhe personale. Bardhi e ka cilësuar 'shpallje lufte' goditjen e një deputeti në krye të detyrës.
“Kjo është shpallje lufte! Do të përgjigjeni! Goditja ndaj një deputeti, në krye të detyrës, me plumb në trup, është një krim që do të marrë përgjigje ligjore dhe personale”, tha Bardhi.
Gjithashtu, deputeti demokrat Saimir Korreshi, e ka dënuar ashpër incidentin, duke e cilësuar atë si tentativë për vrasje.
“O Kriminela, o plehra cfare eshte kjo ?!?! Kjo eshte tentative per vrasje o sherbetor te krimit ! Kjo është shpallje lufte! Do të përgjigjeni! Goditja ndaj një deputeti, në krye të detyrës, me plumb në trup, është një krim që do të marrë përgjigje ligjore dhe personale”, shkroi Korreshi.
