TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka një krizë ndërtimi në Tiranë apo në Shqipëri. Gjatë podkastit “Flasim” me temë "Gurët që po bëjnë Shqipërinë”, Rama është shprehur se do të krijohet mundësia edhe për ata që nuk kanë mundësi financiare për të ndërtuar apo blerë një banesë.
“Fatmirësisht nuk ka një krizë të ndërtimit në Shqipëri dhe Tiranë dhe me ligjin e ri të strehimit kemi futur disa komponentë të rinj financiarë që do të ndihmojnë ata që nuk arrijnë dot të bëjnë një shtëpi”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te rritja e vlerës së pronave në kryeqytet, duke theksuar se ky proces ka nisur që në kohën kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës.
“Nëse unë mund të them se kam luajtur një rol në një gjë, kjo është rritja e vlerës së pronës në Tironë, që kur kam nisur punën si kryetar bashkie dhe nisa të pikturoj e rregulloj trotuaret, të vë drita, sepse që aty nis rritja e vlerës së pronës. Atëherë ato mundësi ishin, të bënim ndryshimin me bojë, tani është krijuar mundësia për të bërë ndryshimin me arkitektët më të mirë të botës”, tha Rama.
Ndryshimet në ligjin “Për Strehimin Social” janë pjesë e paketës së masave të qeverisë për vitin 2027, të cilat synojnë rritjen e të ardhurave të qytetarëve dhe uljen e shpenzimeve të tyre, përmes lehtësimit të kostove të jetesës. Ndryshimet ligjore u miratuan këtë muaj në Kuvend.
Ndryshimet parashikojnë instrumente të reja mbështetëse, përfshirë kreditë me interes zero për banesa deri në 60 mijë euro, kredi me interes 3% për banesa deri në 200 mijë euro, subvencionimin deri në 50% të qirasë, si dhe mekanizmin “nga qiraja në blerje”./ZËRI