VLORË- Pasojat e reshjeve të shiut vijojnë të ndihen në qytetin e Vlorës, ku disa rrugë mbeten ende të mbuluara nga uji duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe të këmbësorëve.
Një prej zonave më problematike është aksi rrugor 'Albano dhe Romina', ku niveli i ujit ka arritur në atë pikë sa automjetet nuk mund të kalojnë. Probleme me qarkullimin raportohen gjithashtu në lagjen '29 Nëntori' dhe pranë Bibliotekës Publike 'Shefqet Musaraj' ku uji vijon të jetë i pranishëm në rrugë.
Megjithëse reshjet kanë pushuar, uji ende nuk është tërhequr nga disa prej akseve të qytetit duke mbajtur të vështirësuar qarkullimin. Situata vijon të jetë shqetësuese për banorët, të cilët përballen me vështirësi në lëvizjen e përditshme në këto zona./ZËRI