
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka vendosur këtë të premte pushimin e çështjes penale ndaj kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i paditur nga deputetja demokrate Albana Vokshi për 'Shpifje' dhe 'Fyerje'.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Erjon Bani një muaj pasi Vokshi depozitoi në GJKKO kërkesën për gjykimin e Ballës, më 27 tetor 2026. Çështja ishte regjistruar me numër 142 dhe lidhej me akuzat e parashikuara në nenet 120/2 dhe 119/2 të Kodit Penal.
Në vendimin e saj, GJKKO ka disponuar pushimin e çështjes, duke u bazuar në nenin 59 pika 3 të Kodit të Procedurës Penale. Shpenzimet gjyqësore janë ngarkuar ndaj viktimës akuzuese, Albana Vokshi.
Përplasja mes dy deputetëve kishte ndodhur gjatë seancës plenare të 5 marsit 2026, kur Balla iu drejtua Vokshit me shprehjen '0900, për ty Albana kam këtë numrin'. Deputetja demokrate e konsideroi deklaratën fyese dhe vendosi ta ndiqte çështjen në rrugë gjyqësore.
Pas reagimeve të opozitës Balla sqaroi se bëhej fjalë për një numër telefonik informues të Bashkimit Evropian dhe i kërkoi ndjesë Vokshit nëse ajo ishte ndjerë e fyer. Shpjegimi i tij nuk u pranua nga deputetja demokrate, e cila vijoi me padinë në gjykatë./ZËRI
