TIRANË- Një ditë pas njoftimit për krijimin e një partie të re politike, kanë reaguar “Studentët n’Protestë”. Përmes një deklarate për mediat, studentët theksojnë se nuk janë pjesë e asnjë partie politike dhe as nuk kanë formuar një të tillë.
Ata rikujtojnë se prej nisjes së protestave më 31 maj kanë qenë në mbështetje të saj dhe të kërkesave të ngritura. Studentët shprehen se respektojnë të drejtën e gjithsecilit për të ndërmarrë iniciativa politike, teksa sqarojnë se asnjë veprim i tillë nuk mund të bëhet në emrin e tyre.
Deklarata e plotë:
Studentet n’Protestë, si një komunitet studentësh i krijuar në protestë, deklaron se nuk është pjesë e asnjë partie politike!
Nga 31 maji, e deri sot, ne, Studentët n’Protestë, kemi qenë në mbështetje të protestës dhe kërkesave të saj. Kemi besuar se fryma e krijuar nga kjo revoltë qytetare, tejkalon partitë politike dhe bindjet personale, duke përfshirë një pjesë të madhe të shoqërisë.
Edhe sot, pas 13 tetorit, kur studentët dolën masivisht, vazhdojmë të mbajmë të njëjtin qëndrim.
Ne nuk kemi formuar parti politike e as nuk jemi mbështetës të ndonjërës prej tyre. Vlerësojmë se gjithësecili është i lirë të marrë një iniciativë politike, por ne bëjmë të qartë se ky veprim nuk është në emrin tonë.
Një ditë më parë, u njoftua krijimi një force të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Në një deklaratë për mediat, një grup nismëtar, bënë të ditur se kanë nisur mbledhjen e firmave për krijimin e subjektit të ri politik. Ata njoftuan gjithashtu se në javët në vijim do të zhvillojnë takime me qytetarët në qytete dhe fshatra të vendit, si dhe me shqiptarët që jetojnë në diasporë./ZËRI
