Aktualitet

112, një numër i vetëm për çdo emergjencë në Shqipëri! Ja si do të funksionojë sistemi i ri

Numri 112 do të shërbejë për të gjitha situatat që kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve duke bashkuar në një sistem të vetëm shërbimet e Policisë së Shtetit ambulancës, zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile.

M.K.
112, një numër i vetëm për çdo emergjencë
Foto Ilustruese

TIRANË- Qytetarët shqiptarë do të kenë një pikë të vetme kontakti për të kërkuar ndihmë në raste emergjence. Numri 112 do të shërbejë për të gjitha situatat që kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve duke bashkuar në një sistem të vetëm shërbimet e Policisë së Shtetit ambulancës, zjarrfikësve dhe mbrojtjes civile.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave administrimi i sistemit të unifikuar do t’i besohet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ndërsa shërbimi do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit.

Numri 112 do të jetë në dispozicion 24 orë në ditë shtatë ditë të javës. Qytetarët do të mund të komunikojnë me operatorët në gjuhën shqipe dhe angleze, ndërsa një prej risive të sistemit do të jetë identifikimi automatik i vendndodhjes së personit që telefonon. Kjo do t'u mundësojë strukturave përgjegjëse të përcaktojnë më shpejt vendin ku kërkohet ndërhyrja.

Përveç telefonatave, kërkesat për ndihmë do të mund të përcillen edhe përmes mesazheve SMS dhe komunikimit me video, kur kjo të jetë teknikisht e mundur.

Përmes këtij sistemi synohet që qytetarët të mos kenë nevojë të kontaktojnë veçmas institucionet përkatëse, por të drejtohen në një numër të vetëm, nga ku kërkesa do të koordinohet me strukturën përgjegjëse për ndërhyrjen./ZËRI

MOS HUMB