TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku kërkon ndryshimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme, Apelit të Posaçëm dhe të Gjykatës së Lartë. Bëhet fjalë për vendimet e gjykatave të cilat, këto gjykata nuk pranuan kërkesën e Veliajt për konstatimin e shkeljeve procedurale dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore të kryera nga SPAK.
Në ankimin e tij, Veliaj ngre një sërë pretendimesh mbi ligjshmërinë e procedurave të ndjekura gjatë hetimit penal.
-Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së akteve hetimore dhe papërdorshmërinë e provave të mbledhura kundër tij.
-Ai pretendon se procedimi penal është regjistruar mbi bazën e një kallëzimi të falsifikuar dhe se SPAK nuk ka kryer veprime për identifikimin e kallëzuesit Nesti Angoni.
-Gjithashtu, kryebashkiaku pretendon se hetimet janë zhvilluar përtej afateve ligjore, ndërsa hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë kryer veprime procedurale përpara regjistrimit të procedimit penal.
-Një tjetër pretendim lidhet edhe me sekuestrimin e të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate, përdorimin e korrespondencës si provë pa bazë ligjore dhe kryerjen e ekspertimeve nga punonjës të vetë organit procedues, në vend të ekspertëve të pavarur.
"Veliaj kërkon shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën të vendimit nr. 43 akti, të datës 1 shtator 2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë; vendimit nr. 228 (87-2025-359), të datës 20 tetor 2025, të Apelit të Posaçëm dhe vendimit nr. 00-2026-568, të datës 19 shkurt 2026, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.", shkruhet në regjistriin e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetues.
Lidhur me këto kërkesa, më 1 shtator 2025, GJKKO nuk pranoi kërkesën e Veliajt. Më 20 tetor të po këtij viti, Apeli i Posaçëm, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi, vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Më pas, Veliaj iu drejtua Gjykatës së Lartë, ku më 19 shkurt 2026, Kolegji Penal vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur prej tij./ZËRI