TIRANË-Prokuroria e Tiranës sekuestroi sot 29 pasuri me vlerë mbi 10 milionë euro të Ilir Shehut alias Pasholli, i dënuar për trafik droge në Itali dhe i zbuluar nga autoritetet italiane si pjesë e një skeme të sofistikuar kontrabande me ilaçe mes Italisë dhe Shqipërisë. Mes pasurive të sekuestruara janë edhe kompanitë “Medicamenta”, “Mega Store”, “Italialbania Pharma” dhe “Unipharma”. Kjo e fundit krijon edhe lidhjen me Artan Gaçin, ndërtues, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshort i ish-ministres dhe deputetes aktuale të PS-së, Olta Xhaçka. Në 'Unipharma', Ilir Shehu dhe Artan Gaçi janë ortakë me nga 50 për qind të kapitalit në kompaninë me seli në Kashar. Shoqëria u krijua më 9 tetor 2017. “UniPharma” dyshohet se ka futur në Shqipëri tri herë më shumë ilaçe dhe materiale mjekësore sesa ka deklaruar në doganë. Nga hetimet rezultoi se ortaku i Artan Gaçit, Ilir Shehu kryente blerje të ilaçeve në Itali me faturë zyrtare, ku regjistronte mbi 10 artikuj të ndryshëm farmaceutikë, ndërsa në doganën shqiptari ndodhte manipulimi pasi shkurtohej lista e artikujve dhe pjesa tjetër futej në treg pa dokumentacion të rregullt. Në aktivitetin me ilaçet Shehu rezulton i bashkuar edhe me Artan Gaçin, nëpërmjet kompanisë “Unipharma”, e cila sot është nën sekustro nga prokuroria e Tiranës, por për bashkëshortin e deputetes Olta Xhaçka, ende nuk ka një njoftim zyrtar nëse ka qenë i implikuar në skemën e kontrabandës së ilaçeve.
/ZËRI