
Më 12 nëntor, në Kiseljak, pranë Sarajevës, drejtuesit e Lidl, gjigantit gjerman të shitjes me pakicë me çmime të ulëta, hapën një qendër të re logjistike me vlerë 100 milionë euro. Për Bosnjë-Hercegovinën, një shtet i njohur më shumë për ngërçet kushtetuese sesa për efikasitetin administrativ, ky ishte një demonstrim i rrallë i shpejtësisë komerciale. Rreth 300 kilometra më në jug, në Shqipëri, e njëjta kompani mbetet në fazën e planeve në letër. Në prill 2025, Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) i qeverisë shqiptare e shpalli Lidl-in “investitor strategjik”, për një investim prej 105 milionë eurosh dhe 2,500 vende pune. Në këmbim, qeveria shqiptare i vuri në dispozicion zinxhirit gjerman 20 hektarë tokë shtetërore në Porto Romano, në zonën ku do të ndërtohet porti i ri i Durrësit. Megjithatë, 19 muaj më pas, në këtë zonë nuk ka nisur ende asnjë ndërtim. Toka prej 20 hektarësh iu premtua Lidl-it vetëm “në parim”. Dorëzimi i saj përmes një kontrate afatgjatë qiraje nga Autoriteti Portual Durrës u kushtëzua me përfundimin e shpronësimeve dhe zbatimin e masterplanit për Portin e Ri Tregtar të Integruar në Porto Romano.
./ZËRI