TIRANË-Një 42-vjeçar është vënë në pranga pasi u kap duke lëvizur i armatosur në zonën e liqenit të Çekrezës, në Kamëz. Zyber Bamit, gjatë kontrollit fizik, iu gjet një pistoletë me mulli, municioni përkatës dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë. 42-vjeçari ishte dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Njoftimi i policisë:
Kamëz/ Finalizohet operacioni i koduar “Kontigjenti”.
Vihet në pranga një shtetas me precedent kriminal, i cili lëvizte i armatosur në zonën e liqenit të Çekrezës.
Nga kontrolli fizik u konstatua se posedonte dhe sasi Kokaine.
Sekuestrohen arma e zjarrit (pistoletë me mulli), municioni i saj dhe lënda narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për mbikëqyrjen e shtetasve me precedentë, të cilët përbëjnë rrezik për kryerje të veprave penale, administruan informacion se në afërsi të liqenit të Çekrezës, lëvizte një shtetas i armatosur.
Efektivët organizuan menjëherë punën, ku në kuadër të operacionit të koduar “Kontigjenti”, arrestuan në flagrancë shtetasin Z. B., 42 vjeç, të dënuar më parë, për armëmbajtje pa leje.
Gjatë kontrollit fizik këtij shtetasi iu gjetën 1 armë zjarri (pistoletë me mulli) me municion, si dhe sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.