Aktualitet

Dekodera me qindra kanale pirate, dënohen me nga 9 muaj burg tre persona

Kanale.al ishte platforma e Ardit Stambolliut, subjekt 4k server që e ofronte kundrejt pagesës 100 Euro për 2 blerje.

F.I
Dekodera me qindra kanale pirate, dënohen me nga 9 muaj burg tre persona
foto ilustruese

TIRANË-Gjykata e Tiranës ka dënuar me 9 muaj burg Franci Çelën, Ardit Stambolliun dhe Erlin Xhucani për mashtrim kompjuterik. Të tre shisnin dekoderë me qindra kanale pirate duke përdorur rrjetet sociale për t’i reklamuar e tregtuar. Prokuroria njofton se të dënuarit shisnin dekoderë me qindra kanale pirate duke përdorur rrjetet sociale për t’i reklamuar e tregtuar.

Ndër kanalet e përfshira nëpër këto paketa ishin ato të platformave Digitalb, Tring, Sky, si dhe stacione si “Top Channel”, “TV Klan”, “BBV1”, “BBV2” etj. Ishte kallëzimi i Digitalb ai që nisi hetimet e prokurorisë, nga të cilat rezultoi se këta persona ndërhynin në sistemet kompjuterike të platformave të licencuara, merrnin të dhënat dhe i shpërndanin te palët e treta.

 Franci Çela zotëronte FRA SYSTEM IPTV dhe e shiste me 79 euro paketën. Kanale.al ishte platforma e Ardit Stambolliut, subjekt 4k server që e ofronte kundrejt pagesës 100 Euro për 2 blerje. Kanalet shfaqeshin nëpërmjet IboPlayer. Subjekti Elektronika Shop, në pronësi të Erlin Xhucanit, shiste paketat në vlerën 4.000 lekë nëpërmjet rrjeteve sociale dhe pajisjen e dërgonte me postë.

Njoftimi i Prokurorisë:

Me kërkesë të Prokurorisë Tiranë dënohen me burg tre shtetas të cilët shisnin dekodera me qindra kanale pirate

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u shpallën fajtor shtetasit F.Ç., A.S., dhe E.Xh., të akuzuar për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” parashikuar nga nenet 143/b pg. 1 i Kodit Penal. 

Hetimet mbi procedimin penal nr.6847, të vitit 2023, nisën pas kallëzimit të shoqërisë Digitalb, se subjekte të ndryshme duke vepruar në rrjetet sociale shesin paketa televizive të kësaj shoqërie duke mashtruar se disponojnë të drejtat televizive dhe duke krijuar të ardhura në kurriz të kompanive televizive. 

Nga hetimet, të kryera dhe me veprime simuluese të blerjeve të pajisjeve dekoder, prokuroria identifikoi subjektet që kryenin këtë aktivitet. Më konkretisht, subjekti ‘FRA SYSTEM IPTV’ në pronësi të shtetasisht F.Ç., i cili shiste me vlerën 79 euro paketën. Po kështu nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, u identifikua edhe Subjekti Elektronika Shop në pronësi të shtetasit E. Xh., i cili vepronte nëpërmjet rrjeteve sociale Facebook duke shitur paketa në vlerën 4000 lekë dhe pajisja vinte nëpërmjet korrierëve të postave private. Në këto hetime u zbulua edhe subjekti 4k server (Kanale.al), në pronësi të shtetasit A.S, i cili shiste nëpërmjet rrjetit social “Instagram”. 

Të pandehurit kishin instaluar në aparaturat elektronike që shpërndanin te të tretët aplikacione të cilat mundësonin hapjen dhe shikimin e kanaleve televizive private të platformave si Digitalb, Tring dhe të tjera pako ndërkombëtare, pa pasur licensë apo leje nga operatorët e ligjshëm që zotërojnë të drejtat mbi këto transmetime.

Kjo sjellje përbën ndërhyrje në funksionimin e sistemeve kompjuterike dhe rrjeteve të transmetimit të dhënave, pasi të dhënat që lejohen vetëm për përdorues të licensuar janë siguruar dhe shpërndarë në mënyrë të paligjshme, duke i paraqitur si të dhëna të aksesueshme nga përdorues të paautorizuar, përmes mashtrimit kompjuterik. Të dhënat televizive të koduara janë pjesë e një sistemi kompjuterik të mbrojtur, dhe ndërhyrja për të anashkaluar sistemet e kontrollit të aksesit përbën veprimtari të kundërligjshme që bie brenda kuptimit të nenit 143/b.

Nga hetimet u provua se veprimtaria e të pandehurve përfshin ndërhyrje në sistemet kompjuterike të operatorëve të licensuar dhe përvetësimin e të dhënave që atyre u përkasin, duke i shpërndarë ato te përdoruesit e tretë në mënyrë mashtruese dhe të paligjshme. Kjo veprimtari është ndërmarrë me qëllim sigurimi të përfitimit ekonomik personal, duke shmangur licencimin, kontraktimin dhe pagesën e detyrimeve financiare ndaj subjekteve që ofrojnë shërbimin në mënyrë të ligjshme. Veprimet janë kryer me dashje direkte dhe me qëllim përfitimi material. 

Në përfundim, nga të gjitha provat e mbledhura, rezulton se të pandehurit kanë konsumuar në mënyrë të plotë elementët e veprës penale “Mashtrim kompjuterik” parashikuar nga neni 143/b pg. 1 dhe u shpallën fajtorë për këtë vepër duke u dënuar me nga nëntë muaj burgim secili.

MOS HUMB