TIRANË-Personi në foto është Ervis Çela i cili bashkë me Franc Çopjan drejtuan grupin që sipas hetimeve organizata trafikoi të paktën 60,7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës gjatë viteve 2019–2021, ndërsa mbi 18 tonë u sekuestruan në pesë episode.
Në dosjen e SPAK dokumentohet nëpërmjet imazheve dhe fotove luksi dhe të ardhurat nga trafiku i drogës. Në bisedat e zbardhura në Sky Ecc shihen imazhe të lingotave të arit, sasive të kokainës, armëve të zjarrit, tufave me euro dhe sendeve luksoze.
Detajet e siguruara nga ZËRI përmes dosjes hetimore të SPAK, hedhin dritë mbi mënyrën se si anëtarët e organizatës komunikonin, shkëmbenin informacione dhe dokumentonin aktivitetin e tyre. Në komunikimet e zbërthyera shfaqen jo vetëm sasi të mëdha droge dhe para, por edhe ora luksoze të markës Richard Mille, ar, armë dhe produkte të tjera me vlerë të lartë.
Sipas dosjes së SPAK, vetëm brenda një muaji organizata ka gjeneruar dhe grumbulluar rreth 150 milionë euro, ndërsa pritej të mblidheshin edhe 40 milionë euro të tjera. Në një hark kohor prej dy vitesh, shumat e qarkulluara kanë kaluar gjysmë miliardi euro.
Konkretisht, nga komunikimet në Sky ECC mes Renato Musakut dhe Petrit Lakatos, në periudhën 9 nëntor 2020 deri më 7 dhjetor 2020, rezulton se janë gjeneruar dhe grumbulluar 151.380.000 euro, ndërsa pritej të siguroheshin edhe 40 milionë euro të tjera.
Sipas SPAK, nga nëntori i vitit 2019 deri në mars të vitit 2021, organizata Çopja ka qarkulluar jo më pak se 520 milionë euro, të ardhura nga trafiku i kokainës.






./ZËRI