Aktualitet

Bordi i Transparencës ndryshon çmimet, ja sa do të shitet nafta dhe benzina

Vendimi i bërë publik këtë të martë përcakton çmimet maksimale për naftën, benzinën dhe gazin, ndërsa hyn në fuqi prej orës 17:30.

M.K.
Bordi i Transparencës ndryshon çmimet, ja sa do të shitet nafta
foto ilustruese

TIRANË- Bordi i Transparencës ka vendosur kufijtë e rinj të çmimeve për tregtimin e karburanteve në vend. Vendimi i bërë publik këtë të martë përcakton çmimet maksimale për naftën, benzinën dhe gazin, ndërsa hyn në fuqi prej orës 17:30.

Sipas vendimit nafta do të tregtohet me një çmim maksimal prej 207 lekësh për litër në pikat e shitjes me pakicë. Për tregtimin me shumicë çmimi është përcaktuar në jo më shumë se 195 lekë për litër.

Edhe për benzinën janë përcaktuar kufijtë e rinj të tregtimit. Çmimi për konsumatorët nuk duhet të kalojë 164 lekë për litër ndërsa për shitjen me shumicë tavani është vendosur në 152 lekë për litër.

Në vendimin e ri është përfshirë edhe gazi për automjetet i cili do të shitet me 70 lekë për litër në pakicë dhe 58 lekë për litër në shumicë.

Një çmim i diferencuar është parashikuar per sektorin e peshkimit. Gazoili i destinuar për këtë aktivitet do të kushtojë 112 lekë për litër.

Tarifat e reja do të zbatohen nga ora 17;30 e datës 17 nëntor dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e radhës së Bordit të Transparencës, kur do të rishikohen në varësi të vendimmarrjes së këtij institucioni.

Me këtë vendim drejtuesit e pikave të tregtimit të karburanteve duhet të respektojnë kufijtë e përcaktuar, të cilët përcaktojnë çmimin maksimal të lejuar për secilin prej produkteve./ZËRI

MOS HUMB