Politikë

Koçiu nis përgatitjet për zgjedhjet e 9 majit: Takime derë më derë dhe ftesë për socialistët e larguar (VIDEO)

Në fjalën e saj Koçiu theksoi nevojën për të afruar sërish edhe ata anëtarë që janë larguar apo janë distancuar nga partia, duke u kërkuar strukturave që të dëgjojnë shqetësimet dhe sugjerimet e tyre.

M.K.
Koçiu nis përgatitjet për zgjedhjet e 9 majit: Takime derë
zv.kryeministrja Albana Koçiu

TIRANË- Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Tiranën dhe njëherësh zv.kryeministrja Albana Koçiu u ka bërë thirrje socialistëve për bashkim dhe angazhim të përbashkët në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit. Në fjalën e saj Koçiu theksoi nevojën për të afruar sërish edhe ata anëtarë që janë larguar apo janë distancuar nga partia, duke u kërkuar strukturave që të dëgjojnë shqetësimet dhe sugjerimet e tyre.

“Të dashur miq, kjo është përshëndetja ime e parë në fakt në cilësinë e bashkëkryetares së Tiranës dhe për hir të së vërtetës do dua që me të gjithë ju të ndaj peshën e përgjegjësisë për besimin e dhënë dhe për angazhimin që do duhet të kemi së bashku të gjithë kështu si një skuadër e madhe për fitoren e majtë për zgjedhjet e pushtetit vendor për bashkinë e Tiranës. Përgjegjësinë e ndaj në fakt së bashku me Ervinin dhe të dy së bashku do të japim besën për të qenë në çdo organizatë socialiste, me çdo socialist të vërtetë, por dhe me ata që janë mërzitur nga ne për t'i dëgjuar në çdo hall, në çdo shqetësim dhe për të lidhur sërish besën për të qenë të pranishëm, për të dëgjuar jo vetëm shqetësimet, por dhe sugjerimet e tyre”, tha Koçiu.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj zv.kryeministrja ia kushtoi përfshirjes së grave në strukturat e PS duke kërkuar afrimin e më shumë grave përfshirë intelektuale dhe amvisa si dhe fuqizimin e zërit të tyre në organizimin dhe vendimmarrjen politike.

“Ndërkohë nga ana tjetër nuk do të lija pa përmendur këtu dhe forcën e jashtëzakonshme të grave socialiste. Kudo ku unë kam patur eksperiencën time si drejtuese politike në njësinë 11 në Laprakë, në njësinë 6 në Kombinat, kam vënë re një energji të jashtëzakonshme të grave. Gratë në Partinë Socialiste kanë qenë gjithmonë të mirëpritura. Kjo falë edhe vizionit të kryetarit Edi Rama për t'i hapur dyert jo vetëm në organizimet e partisë, por në qeverisje, në vendimmarrje, në politika publike. Do vazhdojmë ta bëjmë këtë së bashku. Do vazhdojmë t'i fuqizojmë gratë, të dëgjojmë zërin e tyre. Gratë janë të domosdoshme për të vendosur atë ekuilibrin në organizatat tona”, u shpreh ajo.

Koçiu njoftoi gjithashtu se nga java e ardhshme do të nisë një kalendar intensiv takimesh në terren, me synimin për të qenë pranë organizatave socialiste dhe komuniteteve të ndryshme të kryeqytetit. Ajo theksoi se përgatitjet nuk do të zhvillohen vetëm në zyra, por përmes takimeve derë më derë ku do të angazhohen edhe drejtuesit politikë dhe deputetët e Tiranës.

“Nga java që vjen do të nisim në fakt një kalendar intensiv takimesh. Nuk do të jemi në zyra, do të jemi në terren, ashtu siç e thashë, derë më derë. Do na duheni ju të gjithë bashkë, do na duhen drejtuesit politikë, do na duhen deputetët. Tirana për hir të së vërtetës ka ekipin më të mirë të organizimit edhe për faktin që është Tirana e 1 milion banorëve, e shumë komuniteteve. Kështu që jam e bindur që të gjithë së bashku do bëjmë më të mirën maksimumin së bashku me Ogertën, së bashku me Ervinin për Tiranën 2030. Shumë faleminderit. Suksese të gjithëve!” tha Koçiu./ZËRI

MOS HUMB