ATHINË- Një shpërthim me tritol është regjistruar mëngjesin e sotëm në një lokal në Athinë, në pronësi të një shqiptari. Sipas mediave greke, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 04:40, në lagjen Nea Jonia të Athinës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.
Ndërkohë, mediat e shtetit fqinj kanë publikuar edhe pamjet e momentit të shpërthimit, të filmuara nga një farmaci që ndodhet përballë kafenesë. Sipas raportimeve, dëshmitarë okularë thanë se ishin dy persona që vendosën një mekanizëm shpërthyes në ambientet e jashtme të lokalit dhe në vazhdim u larguan me një motoçikletë.
Menjëherë pas shpërthimit, u mobilizuan Departamenti i Zjarrfikësve dhe një ekip nga Departamenti i Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese, ndërsa hetimet e Policisë Helenike pritet të sqarojnë rastin.
Shkaqet e ngjarjes nuk bëhet ende të ditura, ndërsa dyshohet se është kryer për gjobvënie. Në këtë kuadër, dyshohet se shpërthimi mund të ketë lidhje me një tjetër ngjarje të ndodhur më 13 nëntor, kur persona ende të paidentifikuar i vunë flakën një lavazhi në pronësi të të njëjtit person./ZËRI