KOSOVË- Drafti i ri i Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kosovë pritet të përfundojë brenda kësaj jave. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës Albin Kurti cili tha se ekspertët janë duke punuar për finalizimin e tekstit pas dakordësisë politike të arritur me Partinë Demokratike të Kosovës.
Gjatë një prononcimi për mediat pas ceremonisë së 27vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës Kurti u shpreh se pret që puna e ekspertëve të përmbyllet në ditët në vijim.
“Gjatë kësaj jave kemi thënë dhe po presim prej ekspertëve që ta përmbyllin këto ditë” deklaroi Kurti.
Më 19 nëntor, Kurti zhvilloi një takim me ushtruesen e detyrës së kryetares së PDK-së Vlora Çitaku dhe ish-kryetarin e kësaj partie Bedri Hamza, ku u dakordësua nisja e hartimit të një projektligji të ri.
Teksti do të mbështetet në projektligjin e miratuar më herët në dy lexime në Kuvend, por do të përfshijë edhe propozimet e PDK-së, si dhe rekomandimet e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Çitaku ka deklaruar se synimi është që ligji të ketë një bazë më të fortë juridike dhe të sigurojë zbatim më të qartë në praktikë. Ajo ka kërkuar ndjesë për vonesat dhe paqartësitë e krijuara gjatë këtij procesi.
Paralelisht me hartimin e projektligjit Grupi Punues Shtetëror do të vijojë punën për Strategjinë e Mbrojtjes në Apel./ZËRI