Aktualitet

Moti i keq godet Shkodrën: Dëmtime në banesa e shkolla, disa zona pa energji elektrike

Reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë kanë përfshirë gjithë qarkun e Shkodrës, duke shkaktuar problematike në banesa, shkolla dhe rrugë.

zh.ll
Moti i keq godet Shkodrën: Dëmtime në banesa e shkolla, disa zona
shkoder

SHKODËR- Shkodra është përfshirë nga moti i keq gjatë orëve të fundit. Reshjet e shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa bashki të Qarkut Shkodër.

Reshjet intensive dhe erërat e forta kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në Malësi të Madhe dhe në bashkinmë e Vaut të Dejës.

Situata më problematike paraqitet në bashkinë Fushë-Arrëz, kui pasojë e motit të keq, është dëmtuar çatia e shkollës 9-vjeçare në Iballë, si dhe disa banesa. Gjithashtu, prurjet e ujërave, gurëve dhe dherave kanë shkaktuar dëmtime në rrugët rurale, ndërsa raportohet ndërprerje e energjisë elektrike pothuajse në të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie.

Gjithashtu, edhe aksi Fushë-Arrëz–Bardhet është bllokuar përkohësisht gjatë natës për shkak të rrëzimit të një peme, por është bërë i kalueshëm pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake.

Problematika nga moti i keq janë evidentuar edhe në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku ka pasur rënie gurësh dhe prurje inertesh. Aktualisht vijon puna për pastrimin e tyre. Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por aksi rrugor vijon të jetë i kalueshëm. 

Ndërkohë, ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në rrjetin elektrik./ZËRI 

MOS HUMB