
TIRANË- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimeve se sulmi me dron detar kundër një korvete ruse në Libi, ka pasur origjinën nga territori shqiptar. Në reagimin zyrtar, Ministria i ka cilësuar këto raportime si të pasakta, teksa sqaron se Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident.
Ministria i hodh poshtë pretendimet dhe bën thirrje për korrigjimin e informacionit dhe raportimin me saktësi e kujdes për çështje të ndjeshme.
Reagim i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar.
Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.
Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.
I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë.
Çfarë ndodhi me kuvertën rusë?
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, koverta ruse, e klasit Steregushchiy, e identifikuar si Merkury, është goditur dhe ka përfunduar në fund të detit. Ngjarja ka ndodhur në portin e Bengazit, në Libinë lindore, ku koverta kishte ndaluar për furnizim me karburant dhe materiale të tjera, gjatë kthimit drejt Rusisë. Gjithashtu, një anije e dytë është sulmuar me dronë detarë në ujërat pranë portit. Sipas raportimeve, sulmet kanë shkaktuar të paktën 12 viktima./ZËRI