ITALI- Një aksident tragjik është regjistruar ditën e djeshme në Itali, ku një 31-vjeçare shqiptare ka humbur jetën. Ngjarja ndodhi në provincën e Pordenones, teksa 31-vjeçarja po udhëtonte drejt Villanovës për të marrë pjesë në një festë ditëlindjeje, së bashku me dy fëmijët e saj të mitur, 6 dhe 4 vjeç, dhe një shok të tyre.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Emanuela Shahini humbi kontrollin e automjetit, i cili doli nga rruga dhe u përmbys. 31-vjeçarja nuk arriti t'u mbijetonte plagëve të marra, ndërsa vajza 4-vjeçare është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ajo është transportuar me helikopter në spitalin e Udines, ndërsa dy të tjetrët po marrin mjekim në spitalin e Pordenones.
Rrethanat e aksidentit janë ende të paqarta. Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se automjeti që drejtohej nga shqiptarja ka rrëshqitur në një kthesë, për shkak të lagështisë dhe është përplasur me një shtyllë betoni anës rrugës, duke u përmbysur në një kanal./ZËRI