Aktualitet

U ekzekutua në Fier, kush ishte Selami Hasani? E kaluara kriminale dhe hasmëria 32-vjeçare me “Ben Qimen”

Në fillim të viteve ’90, Selami Hasani konsiderohej një prej personazheve me ndikim në botën e krimit në Fier. Ai njihej me Arben Isufaj, por marrëdhënia mes tyre do të prishej pas një konflikti të ndodhur në fillim të vitit 1994.

zh.ll
U ekzekutua në Fier, kush ishte Selami Hasani? E kaluara kriminale dhe
selami hasani-ben qimja

FIER- Selami Hasani është gjetur i vrarë me armë zjarri mëngjesin e sotëm në oborrin e banesës së tij, në lagjen “1 Maji” në Fier, ndërsa emri i tij nuk ishte aspak i panjohur për autoritetet. Bëhet fjalë për Selami Hasanin, person me precedentë të mëparshëm kriminalë, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami” ose “Seli i Malit”.

Emri i tij lidhet me Arben Isufajn, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, për shkak të një konflikti të hershëm mes tyre. Konkretisht,  Hasani ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, ngjarje e ndodhur më 25 mars 2002. Pas shtatë vitesh në kërkim, Selami Hasani u arrestua në banesën e tij, ku gjatë kontrollit policia i gjeti dhe sekuestroi dy pistoleta.

Hasmëria me familjen Isufaj nisi që në vitin 1994.

Në fillim të viteve ’90, Selami Hasani konsiderohej një prej personazheve me ndikim në botën e krimit në Fier. Ai njihej me Arben Isufaj, por marrëdhënia mes tyre do të prishej pas një konflikti të ndodhur në fillim të vitit 1994. Babai i Arben Isufajt, Enver Isufaj, ndërhyri për të zgjidhur konfliktin, por vrasja e tij më pas do të bëhej pika e kthesës së përplasjeve mes dy familjeve.

Më pas, një seri vrasjesh të tjera...

Në vitin 1998 u vra vëllai Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit, si i dyshuar për vrasjen e Enver Isufajt. Në mars të vitit 2002, një tjetër atentat i përgjakshëm do të trondiste qendrën e Fierit, ku këtë herë viktimë do të ishte Julian Isufaj, kushëri i Arben Isufajt.

Por, kush është Arben Isufaj, i njohur si 'Ben Qimja'?

Emri i tij është bërë i njohur që në fillim të viteve ’90 në qytetin e Fierit ku pas një përplasjeje i vrasin babanë, Enver Isufaj. Enver Isufaj u vra në një bilardo në afërsi të banesës në zonën e Sheqit. Në vrasje, dyshohet se kishin marrë pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit, i njohur si 'Sel Çami'.

Arben Isufaj u shpërngul në Spanjë e më pas në Holandë dhe Itali duke krijuar lidhje të fuqishme në trafikun e kokainës. Ai është akuzuar se kishte një linjë të furnizimit të Europes me kokainë përmes Holandës. Isufaj u fut në sektorin e ndërtimit në mesin e viteve 2000 duke u kthyer në njërin prej ndërtuesve më të mëdhenj në Fier. Ai u arrestua në vitin 2014 pas një operacioni të bujshëm në zonën e Liqenit në Tiranë për t’u liruar disa kohë më vonë.

Ndërkohë, mbetet ende e paqartë nëse ekzekutimi i Selami Hasanit ka lidhje me konfliktet e tij të hershme apo me ndonjë motiv tjetër. Deri më tani, janë gjetur dy automjete të djegura, që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Hasani u gjet i vrarë në oborrin e banesës, ndërsa vëllai i tij mbeti i plagosur. Sipas dyshimeve paraprake, autorët kanë hyrë në banesën e tyre./ZËRI

MOS HUMB