KOSOVË- Endrit Azemi 20-vjeç është arrestuar nga policia e Gjilanit, pasi dyshohet se ka mashtruar qytetarët dhe ka përfituar para prej tyre duke u paraqitur si i sëmurë me leukemi akute. Ai ka kërkuar ndihmë financiare për t'u trajtuar jashtë vendit, në Turqi, ndërsa përmes një "GoFundMe" dhe donacioneve të tjera, dyshohet se janë grumbulluar rreth 190 mijë euro.
I riu, publikonte shpesh video në rrjete sociale, ku shfaqej me pa flokë, vetulla apo mjekër, duke krijuar pamjen e një personi që po përballej me një sëmundje të rëndë. Në disa prej pamjeve, ai falënderonte qytetarët për ndihmën financiare, ndërsa publikonte edhe video me pretendimin se ndodhej në Turqi, ku po merrte trajtim mjekësor.
Mësohet se për mbledhjen e parave ishin angazhuar edhe familjarë të tij. Madje, motra e tij kishte bërë thirrje publike që qytetarët të kontribonin sipas mundësive. Për këtë, familjarët kishin vendosur edhe një pikë grumbullimi të donacioneve në sheshin e qytetit.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, Azemi dyshohet se kishte sajuar historinë e sëmundjes që prej 9 nëntorit 2026, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar. Pas zbulimit të dyshimeve, Prokuroria ka nisur hetimet, ndërsa në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka bërë bllokimin e parave në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara si të lidhura me rastin.
Azemi u arrestua për 48 orë ndërkohë që prokuroria pritet t'i kërkojë Gjykatës Themelore në Gjilan caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale 'Mashtrimi'.
Ndërkohë, rasti ka shkaktuar reagime te qytetarët, kryesisht, ata të cilët kanë kontribuar në shumë monetare. Për pasojë, raportohet se një grup personash kanë shkuar te shtëpia e Azemit, duke kërkuar që t'u kthehen paratë që kishin dhuruar. /ZËRI