TIRANË- Është zbardhur dëshmia e Robert Dukës, autorit të dy grabitjeve me armë zjarri në dy filialet e bankave “OTP Bank” dhe “Raiffeisen Bank". Sipas dëshmisë, Duka, i cili u arrestua një ditë më parë, pjesën më të madhe të shumës së grabitur prej afro 120 mijë eurosh e ka shpenzuar në kazino. Ndërkohë rreth 6 mijë euro, Duka ia ka dhënë dy miqve të tij në Vlorë, duke i dorëzuar secilit nga 3 mijë euro. Dy personat janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar se paratë ua kishte dhënë Robert Duka për t’u shlyer një borxh që ai kishte ndaj tyre. Për të verifikuar pretendimet e tij, policia dhe prokuroria mësohet se u kanë kërkuar informacion katër kazinove të njohura në Tiranë. Ndërkohë, në pyetje është marrë edhe bashkëshortja e Dukës, një punonjëse pranë një banke të nivelit të dytë në Tiranë, e cila ka deklaruar se shumën prej 120 mijë eurosh e kishin fituar nga shitja e një apartamenti në zonën e stadiumit ‘Air Albania’. Gruaja ka pohuar në polici se nuk kishte pasur asnjë dijeni që bashkëshorti i saj kryente grabitjen e bankave. Robert Duka u arrestua një ditë më pranë “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë, një javë pas grabitjes te 'Raiffeisen'.
/ZËRI