TIRANË- Përplasje të forta dhe debate me tone të ashpra janë shënuar në Konferencën e Kryetarëve, pasi Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se po bllokojnë qëllimisht nismat ligjore të opozitës pa u caktuar një datë shqyrtimi.
PD kërkoi përfshirjen në rendin e ditës dhe votimin e paketës me katër nisma për shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjit për Paketën e Maleve dhe disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.
Deputeti dhe nënkryetari i Grupit të PD-së, Belind Këlliçi, akuzoi mazhorancën se po e trajton Kuvendin si një institucion njëpartiak dhe se po përjashton opozitën nga funksionimi normal parlamentar.
“Nuk mund të ketë demokratizim dhe as përparim në procesin e integrimit evropian, kur mazhoranca, në shkelje të rregullave, ligjit dhe vetë Kushtetutës, e trajton Kuvendin si një institucion njëpartiak, ku vendimmarrja përcaktohet vetëm nga numrat dhe jo nga respektimi i Kushtetutës, ligjit dhe rregullores parlamentare. Kthejeni këtë institucion në shinat e kushtetutshmërisë! Mos e përdorni Kuvendin si paradhomë të Partisë Socialiste. Ju nuk mund t'i trajtoni institucionet e këtij vendi si pronë private. Nuk mund t'i përdorni ato sipas interesave tuaja politike dhe as të përjashtoni opozitën nga funksionimi normal i institucioneve kushtetuese”, tha Belind Këlliçi./ZËRI