Politikë

Meta nga paraburgimi kundër paktit Rama-Berisha të 2008-ës: Lista të hapura dhe rikthim i balotazhit

Në një reagim të publikuar nga paraburgimi, Meta ka artikuluar disa propozime për Reformën Zgjedhore mes të cilave hapjen e plotë të listave të kandidatëve dhe rikthimin e balotazhit në zgjedhjet për kryetarët e bashkive.

M.K.

 

Meta nga paraburgimi kundër paktit Rama-Berisha të 2008-ës: Lista
Ish-Presidenti Ilir Meta

TIRANË- Ish-presidenti Ilir Meta ka rikthyer në vëmendje debatin për sistemin zgjedhor duke kërkuar ndryshimin e modelit aktual të përfaqësimit politik dhe rishikimin e ndërhyrjeve kushtetuese të vitit 2008. Në një reagim të publikuar nga paraburgimi, Meta ka artikuluar disa propozime për Reformën Zgjedhore mes të cilave hapjen e plotë të listave të kandidatëve dhe rikthimin e balotazhit në zgjedhjet për kryetarët e bashkive.

Për ish-presidentin, ndryshimet e vitit 2008 duhet të rishikohen për të rikthyer ndarjen e pushteteve dhe mekanizmat e kontrollit mes institucioneve. Ai e lidh këtë kërkesë me nevojën për të ndryshuar raportin mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të zgjedhur duke kundërshtuar ndikimin e drejtuesve partiakë në përcaktimin e mandateve.

Reagimi i Ilir Metës:

Vetëm këto janë zgjidhjet!

Rikthimi i Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ndarjen e pushteteve, sistemin e kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre, si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që mandatin ta marrin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.

Rikthimi i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në mënyrë që fituesi të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.

Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit dhe garantohet e drejta që krahas kandidatëve të partive politike edhe qytetarë me kontribute, integritet dhe mbështetje publike të mund të garojnë e të zgjidhen si kandidatë të pavarur.

Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!

Shqiptarët meritojnë të  zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet fort!

Vetëm kështu Shqipëria çlirohet nga kapja e shtetit dhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga kthetrat e "Rilindjes".

Vetëm kështu Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar./ZËRI

MOS HUMB