PARIS- Kryeministri Edi Rama ka përsëritur qëndrimin e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës duke deklaruar nga Parisi se ky është një realitet i pakthyeshëm dhe se Serbia duhet ta pranojë atë si fakt. Gjatë një prononcimi në kryeqytetin francez, Rama u shpreh se pretendimet për rikthimin e Kosovës nën Serbi janë një fantazi që pengon normalizimin e marrëdhënieve në rajon.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Shqipëria ka ndjekur një politikë paqedashëse dhe se marrëdhëniet me fqinjët duhet të ndërtohen mbi bashkëjetesën dhe mirëkuptimin. Megjithatë sa i përket raportit mes Serbisë dhe Kosovës ai u shpreh se pavarësia e kësaj të fundit nuk mund të vihet më në diskutim.
“Shqipëria ka qenë vend paqedashës dhe gjatë 10 viteve të fundit ka qenë e angazhuar në nxitjen e paqes dhe bashkëpunimit në rajon. Ka disa gjëra për të cilat nuk mund të zgjedhësh. S’mund të zgjedhësh dot kushërinjtë e fqinjët. Fqinjët janë aty ku janë, nuk do të shkojnë askund. Më mirë të shkosh mirë me fqinjin, se pastaj gjen belanë. Gjyshja ime thoshte: fqinji i lumtur do një shtëpi të lumtur, e kundërta është sfiduese. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka kemi mundur, me një farë shkalle suksesi.
Sa i takon çështjes së Serbisë dhe Kosovës, mbetet një pikëpyetje. Sepse edhe në raport me BE-në dhe Serbinë duket sikur gjërat nuk janë më mirë, ndërkohë që Kosova është një shtet i pavarur, s’ka më kthim pas, s’ka asnjë mënyrë për ta rikthyer një fantazi të re serbe. Kështu që, sa herë e kam thënë gjithmonë, sa më shpejt që serbët ta njohin si një fakt të jetës, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht për sa u takon marrëdhënieve në rajon”, tha kryeministri Rama../ZËRI