TIRANË- Vetëm 24 orë pas ultimatumit të Partisë Socialiste ndaj opozitës për Reformën Zgjedhore ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë Sofia Moreira de Sousa ka zhvilluar një takim me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Në qendër të diskutimit ka qenë ecuria e reformës koha e kufizuar në dispozicion të Komisionit dhe çështjet që duhet të përfshihen në paketën e ndryshimeve zgjedhore. Takimi merr rëndësi të veçantë për shkak të klimës politike në të cilën po zhvillohet ky proces, ndërsa palët duhet të gjejnë një dakordësi për ndërhyrjet në legjislacionin zgjedhor.
Përmes një mesazhi pas takimit përfaqësuesja e BE- së përcolli një qëndrim të qartë: përfundimi i reformës brenda afatit nuk mjafton nëse ajo nuk garanton standarde dhe ndryshime cilësore. Moreira de Sousa nënvizoi se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të mbështetet te vullneti politik për dialog mes palëve.
“Cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha kur ajo realizohet. Zhvillova takimin tim të parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Diskutuam për afatin shumë të ngushtë kohor brenda të cilit duhet të punojë Komisioni, si dhe për çështje që lidhen me fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës.
Reforma zgjedhore ka të bëjë me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve. Ajo është gjithashtu pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë qenë prej kohësh të qarta dhe puna e përbashkët e kryer deri më tani duhet të japë rezultate konkrete. Me vullnet politik dhe dialog të sinqertë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme”, tha ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.
Takimi i ambasadores me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, vjen një ditë pas ultimatumit të PS ndaj opozitës. Opozita bojkoti dje mbledhjen e Komisionit, ndërsa kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, deklaroi për mediat se nëse kalohet afati 30 nëntor, do të kalojnë në Kuvend vetëm propozimet e mazhorancës. /ZËRI
