PARIS- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris, ku po merr pjesë në diskutimet në Musée de l’Homme, në kuadër të “Forumit të Paqes”. Gjatë bashkëbisedimit, Rama komentoi edhe protestat e zhvilluara në Tiranë, duke u shprehur se dhuna gjatë tubimeve është e papranueshme.
I pyetur se çfarë kanë të përbashkët protestat në Evropë me ato në Shqipëri, Rama u përgjigj duke bërë një dallim mes protestave të zhvilluara në Tiranë. Sipas Ramës, protesta në Tiranë, nisi si një manifestim masiv në fillim të qershorit, lidhur me projektin në Sazan nga ku mbeti një numër i vogël njerëzish, të cilët sipas tij, e përshakllëzuan protestën në dhunë.
“Do të thoja që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre dhe në të njëjtën kohë do të bëja një dallim mes asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet e fillimqershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë e projektit të famshëm që lidhet me Jared Kushner. Ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë. Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë përshkallëzuan në dhunë, që nuk është e pranueshme dhe s'ka të bëjë më me protestën e fillimit”, u shpreh Rama.
Më tej, Rama i cilësoi si shumë komplekse, në të cilat sipas tij, ndërthuren interesa dhe shqetësime të ndryshme, të ndikuara nga faktorë të ndryshëm. Kreu i qeverisë shqiptare përmendi si faktorë sipas tij, ndikimin nga Irani, opozita, iluzionet e ANTIFA-s e deri te krimi i organizuar.
“Mendoj se kurdo e kudo ka një protestë, ka arsye mbi të cilat duhet reflektuar në përpjekje për të gjetur çfarë ka në sfond. Sfondi i kësaj proteste është mjaft komplekse. Është si një tenxhere ku zien gjithçka. Nga shqetësimi për mjedisin, gjepura anti-semite të ndezura nga armiqtë e vendit tonë, si republika Khomeiniste e Iranit, parti të mëdha e të vogla të opozitës që fshihen pas, iluzionet e ANTIFA-s, por edhe njerëz që kanë shqetësimet e tyre për kostot e jetesës e deri te njerëz të sjellë nga krimi i organizuar. Është një gjë tejet komplekse, që nuk duhet trajtuar në një mënyrë, por në disa mënyra. Buxheti i ri përmes masave të mara do e lirojë pak presionin e kostos së jetesës. E shoh, sepse e shoh edhe në Francë sesa komplekse është, pavarësisht se konteksti është ndryshe”, tha mes të tjerash Rama./ZËRI