KOSOVË- Kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka bërë një propozim të ri në përpjekje për të zhbllokuar situatën politike dhe procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.
Kurti i ka ofruar Partisë Demokratike të Kosovës që LVV-ja të mbështesë në lexim të dytë ndryshimet e propozuara nga PDK-ja për ligjin që lidhet me Gjykatën Speciale, ndërsa në këmbim kërkon votën për një prej dy kandidatëve të propozuar nga partia në pushtet Glauk Konjufcën ose Feride Rushitin.
Sipas Kurtit, kjo marrëveshje mund të realizohet brenda së njëjtës seancë të Kuvendit, duke i dhënë përparësi votimit të projektligjit dhe më pas procesit për zgjedhjen e presidentit.
“Pra, ne ua votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht e mandej sonte menjëherë votimi për president, Glauku ose Feridja”, tha Kurti.
Kreu i LVV-së bëri të ditur se nëse PDK-ja e pranon këtë propozim Kuvendi do të thirret me dy pika në rendin e ditës fillimisht votimi në lexim të dytë i projektligjit për Gjykatën Speciale dhe më pas zgjedhja e presidentit të ri të Republikës së Kosovës./ZËRI