BERAT-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri sërish thirrje forcave politike opozitare që të mos hezitojnë për t'u bashkuar në një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës. Berisha gjatë Foltores së PD-së në Berat u shpreh se është koha e bashkimit, duke përmendur edhe kreun e 'Lëvizjes Bashkë', Arlind Qorin.
Sali Berisha: Po ne jemi patriotë, ne vërtet e duam PD-në, por e duam Shqipërinë pakrahasimisht më shumë. Dhe po të shihnim ne se Shqipëria po shpëton prej këtij regjimi, ne do duartrokisnim. Ne shkuam dhe u futëm të gjithë në atë lëvizje, me mijëra e mijëra demokratë për suksesin e saj. Ndaj dhe sot është koha e bashkimit para këtij rreziku të madh ekzistencial. Më pyesin mua, po si thua ti, edhe me Qorin do bashkohemi? Po, po me të gjithë, asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim. Jo. Dhe nuk të them ndrysho platformën tënde politike, jo, mbaje zotëri.
Edhe më herët Berisha ka ftuar drejtuesit e forcave të reja politike, mes tyre Arlind Qorin, Agron Shehajn dhe Adriatik Lapajn, por asnjëri nuk pranoi ftesën e tij.
“Edi Rama është pushtetari më i keq, por Berisha është sivëllau i tij. Berisha ka edhe një dozë të parrëfyeshme pafytyrësie”, deklaroi kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori në fillim të muajit nëntor.
