VLORË- Vijon pa ndërprerje operacioni i Forcave të Armatosura për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në Dukat të Vlorës.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka rreaguar ne rrjetin e tij social, duke bërë me dije se në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë zjarrfikës.
“Në Dukat, Vlorë ka vijuar pa ndërprerje operacioni i Forcave të Armatosura për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit.” tha ministri.
Sipas Nufit, në vijën e parë të përballimit të situatës ndodhen 70 efektivë të Forcës Tokësore, 29 efektivë të Komandës Mbështetëse dhe 2 efektivë të Policisë Ushtarake, ndërsa ndërhyrja nga ajri po realizohet me dy avionë zjarrfikës.
Ministri thekson se angazhimi i forcave ka sjellë rezultate në terren, duke bërë të mundur shuarjen e pjesës më të madhe të vatrave. “Falë angazhimit të jashtëzakonshëm, është bërë e mundur shuarja e pjesës më të madhe të vatrave të zjarrit.”
Ndërkohë, trupat vijojnë monitorimin e situatës dhe qëndrojnë në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme.
Në reagimin e tij, Nufi ka shprehur vlerësimin për efektivët e angazhuar në operacion.
“Krenarë për secilin prej efektivëve tanë të angazhuar, të cilët vijojnë monitorimin e situatës në terren, ndërsa trupat mbeten në gatishmëri të plotë për çdo ndërhyrje të nevojshme.” shprehet ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi./ZËRI