MIRDITË- Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka qene këtë pasdite në fshatin Tenë të Mirditës, ku situata e krijuar nga zjarret ka qenë veçanërisht e vështirë. Pas ndërhyrjes së forcave në terren dhe dy helikopterëve nga ajri, ministri deklaroi se situata është përmirësuar krahasuar me pak orë më parë.
View this post on Instagram
“Në fshatin Tenë në Mirditë kishte një situatë shumë të vështirë para 2 orësh konkretisht, me shpërthimin e një vatre zjarri që ishte shumë agresive. Menjëherë kanë ardhur forcat nga bashkia, nga zjarrfikëset vendore dhe është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Kemi bërë të mundur që 2 helikopterë nga forca ajrore të vinin për të ndërhyrë, pasi për shkak të terrenit të thyer, ndërhyrja nga toka ishte shumë e vështirë. Siç edhe ju e shikoni, duket që situata është nën kontroll. Është situatë e vështirë.” është shprehur ministri Ermal Nufi
Nufi u ndal edhe te shpeshtrsia e vatrave të zjarrit në Mirditë, duke ngritur dyshime për mundësinë e zjarrvënieve të qëllimshme. Sipas tij, në zonë raportohen çdo ditë disa vatra, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e banesave dhe jetës së banorëve.
“Na vjen keq që përballemi me këtë situatë, pasi në Mirditë dëgjojmë që përhapen çdo ditë nga 2-3 vatra zjarri. Është jashtë logjikës njerëzore, por kjo është punë e Policisë pastaj që të identifikojë shkaqet e këtyre zjarreve. Po bëjmë çmos që të mos kemi asnjë dëm në jetë njerëzore dhe banesa.” ka shtuar ministri.
Ministri foli më tej edhe për situatën në zona të tjera të vendit, duke e cilësuar si veçanërisht problematike gjendjen në Dukat të Vlorës, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve. Ai bëri me dije se në zonë janë angazhuar 105 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor.
“Situata më problematike është në Vlorë, në Dukat. Atje janë 105 efektivë të Forcave të Armatosura. Zjarri po përhapet me shpejtësi. Era na ka penalizuar. Kemi një situatë të vështirë në Gojan të Pukës, për shkak të riaktivizimit të një vatre në Gojan të Madh. Pas Mirditës do të shkojmë edhe në Gojan. Kemi të stacionuar atje mbi 60 efektivë të Forcave të Armatosura. Kemi një situatë të vështirë edhe në Malin e Dajtit. Në Dukat të Vlorës po punohet me 2 avionë ‘Air Tractor’ për shuarjen e flakëve. Kemi një situatë të vështirë edhe në Klos. Dje kemi pasur një situatë të vështirë edhe në Milot. Dje në Milot, edhe në vijë të parë njerëzit kanë rrezikuar edhe jetën, pasi në terren ka pasur edhe shtylla të tensionit të lartë.” tha ministri Ermal Nufi
Ministri Nufi vijon monitorimin e situatës në në fshatin Tenë të Mirditës, ndërsa ekipet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore po punojnë për izolimin e vatrave dhe shmangien e rrezikut për banesat dhe banorët./ZËRI