PUKË- Situata e zjarreve në zonën e Gojanit në Pukë është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa flakët vijojnë të përhapen në sipërfaqe të mëdha pyjore. Vatrat e zjarrit paraqiten jashtë kontrollit, duke rritur rrezikun për zonat e banuara dhe komunitetin lokal. Terreni i vështirë dhe përhapja e shpejtë e flakëve e kanë bërë të veshtire ndërhyrjen nga toka. Përveç situatës së rënduar nga zjarri, në disa zona të prekura raportohet edhe ndërprerje e energjisë elektrike, ndërsa janë shfaqur probleme me linjat telefonike. Kjo ka vështirësuar komunikimin dhe koordinimin e operacioneve në terren.
Banorët e zonës shprehen se ndërhyrja nga toka është bërë gjithnjë e më e vështire dhe kërkojnë angazhim të mjeteve ajrore për të frenuar përhapjen e flakëve. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjet për izolimin e vatrave, ndërsa rreziku mbetet i lartë për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit./ZËRI