TIRANË- Cigaret elektronike njëpërdorimshme mund të mos tregtohen më në Shqipëri. Ndalimi i tyre është parashikuar në projektligjin e ri për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili parashikon një sërë kufizimesh.
Por, çfarë parashikon konkretisht?
Neni 22 i projektligjit parashikon ndalimin e vendosjes në treg të produkteve njëpërdorimshme me avullim.
"Duhani për përdorim oral, qeskat e nikotinës dhe produktet njëpërdorimshe me avullim
a) Ndalohet vendosja në treg në Republikën e Shqipërisë eduhanit për përdorim oral;
b) qeskave me nikotinë që përmbajnë më shumë se 4 mg nikotinë,
c) produkteve njëpërdorimshe me avullim.", thuhet në nenin 22.
Produkte njëpërdorimshe me avullim, bëhet fjalë për pajisjet e njohura si “disposable vapes”, të cilat vijnë të mbushura me lëng dhe kanë bateri të integruar. Këto janë pajisje të cilat përdoren deri në përfundimin e përmbajtjes dhe më pas hidhen, pasi nuk mund të rimbushen. Këto produkte tregtohen në një shumëllojshmëri shijesh dhe aromash.
Megjithatë, projektligji nuk parashikon ndalimin e të gjitha cigareve elektronike. Në projektligj, theksohet se pajisjet e rimbushshme do të vijojnë të lejohen në treg, por do t'u nënshtrohen disa kërkesave.
Sipas nenit 16: "Vendosja në treg e cigareve elektronike dhe e enëve rimbushëse lejohet vetëm nëse ato janë në
përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe legjislacionit shqiptar në fuqi. Ky ligj nuk zbatohet për cigaret elektronike dhe enët rimbushëse që i nënshtrohen autorizimit sipas legjislacionit farmaceutik në fuqi ose legjislacionit për pajisjet mjekësore".
Ndërkohë, neni 17 përmban kërkesat teknike dhe etiketimi i cigareve elektronike dhe enëve rimbushëse
a) lëngu që përmban nikotinë lejohet të tregtohet vetëm në enë rimbushëse të dedikuara me vëllim jo më të madh se 10 ml ose në mbajtëse njëpërdorimshme; vëllimi i mbajtëses ose i depozitës nuk duhet të jetë më i madh se 2 ml;
b) lëngu nuk përmban më shumë se 20 mg/ml nikotinë;
c) lëngu me përmbajtje nikotine nuk përmban substanca shtesë të listuara në nenin 7 të këtij
ligji;
d) vetëm përbërës me pastërti të lartë përdoren në prodhimin e lëngut me nikotinë, dhe substancat e tjera janë të pranishme vetëm në nivele gjurmë, nëse ato janë teknikisht të pashmangshme gjatë prodhimit;
e) me përjashtim të nikotinës, vetëm përbërës që nuk paraqesin rrezik ndaj shëndetit njerëzor, në formë të ngrohur ose të pangrohur, përdoren në lëngun me nikotinë;
ë) cigaret elektronike ofrojnë doza nikotine në nivele të qëndrueshme, në kushte normale të përdorimit;
f) cigaret elektronike dhe enët rimbushëse janë të sigurta ndaj hapjes nga fëmijët dhe ndaj manipulimit, janë të mbrojtura nga thyerja dhe rrjedhja, dhe kanë mekanizëm që siguron rimbushjen pa rrjedhje.
Gjithashtu, projektligji parashikon hapësirat ku ndalohet pirja e duhanit dhe përdorimi i produkteve që emetojnë tym ose aerosol. Në këtë kategori përfshihen mjediset e punës, institucionet shëndetësore dhe arsimore, transporti publik, baret, restorantet, diskotekat dhe klubet e natës, si dhe ambiente të tjera publike të mbyllura.
Nisma është ende në fazën e projektligjit. Nëse miratohet nga Kuvendi dhe botohet në Fletoren Zyrtare, ligji do të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas botimit./ZËRI