KORÇË- Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Korçë, ku ka rënë në pranga 44-vjeçari Artur Çina. Sipas njofitmit të Policisë, 44-vjeçari ka hyrë në një klinikë dentare duke mbajtur në dorë një mjet prerës, me qëllim vjedhjen.
Mësohet se ky i fundit, ka sulmuar pronaren e klinikës dhe e ka kërcënuar duke i drejtuar thikën, teksa ka arritur që të marrë vetëm një laptop dhe më pas është larguar më pas me shpejtësi nga vendngjarja.
44-vjeçari i dënuar edhe më parë për vjedhje, është arrestuar nga policia menjëherë pas ngjarjes, ndërsa janë sekuestruar thika dhe laptopi i vjedhur.
Njoftimi i Policisë:
Korçë/Kanosi me mjet prerës (thikë) dhe shtyu me forcë, pronaren e klinikës dentare ku hyri për të vjedhur, arrestohet në flagrancë 44-vjeçari, me precedent penal për vjedhje me dhunë.
Sekuestrohen thika e dyshuar e përdorur për kanosjen dhe një laptop i vjedhur në klinikë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, menjëherë pas njoftimit se një shtetas kishte hyrë në një klinikë private, në lagjen nr. 5, dhe po kanoste me thikë pronaren e kësaj klinike, me qëllim vjedhjen, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e shtetasit:
-A. Ç., 44 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë.
Ky shtetas ka hyrë në ambientet e një klinike dentare, ku pasi ka shtyrë me forcë pronaren e klinikës dhe e ka kanosur atë, me mjet prerës (thikë), ka vjedhur një laptop.
Thika e përdorur për kanosjen dhe laptopi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.