Aktualitet

Thellohet hetimi, dosja 'në duart' e SPAK! 3.6 mld lekë të zhdukura nga Posta e Durrësit

Një audit financiar në filialin e Postës Shqiptare në Durrës ka evidentuar parregullsi të dyshuara me vlerë rreth 3.6 miliardë lekë, ku përfshihen edhe mungesa që lidhen me administrimin e pagesave të Hipotekës.

F.I
Thellohet hetimi, dosja 'në duart' e SPAK! 3.6 mld lekë
Elisabeta Mataj

DURRËS-Hetimet për zhdukjen e rreth 700 mijë eurove nga filiali i Postës Shqiptare në Durrës kanë marrë një tjetër drejtim. Një ditë më parë (18 nëntor) ZËRI raportoi se Prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën dhe dosjen ndaj ish-drejtoreshës së Postës, Elisabeta Mataj, dhe dy ish-vartësve e kaloi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). 

SPAK ka regjistruar procedimin penal për këtë çështje, duke shtuar edhe veprën penale të “grupit të strukturuar kriminal”. Dyshimet e Prokurorisë janë se në skemën e vjedhjes mund të jenë përfshirë edhe ish-zyrtarë, të cilët aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar. Por veç shumës prej 69 milionë lekë të rinj, të parashikuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Postës në Shijak dhe Krujë, të cilat nuk janë arkëtuar, auditi zbulon një mungesë më madhe.

Një audit financiar në filialin e Postës Shqiptare në Durrës ka evidentuar parregullsi të dyshuara me vlerë rreth 3.6 miliardë lekë, ku përfshihen edhe mungesa që lidhen me administrimin e pagesave të Hipotekës. Që prej korrikut 2026, kontrollet financiare kishin evidentuar shkelje dhe parregullsi të konsiderueshme, të cilat u pasuan nga shkarkimi i drejtoreshës së filialit dhe depozitimi i kallëzimeve penale.

Prokuroria dyshon se shuma prej 700 mijë eurove është përvetësuar në bashkëpunim nga ish-drejtoresha e Postës, Elisabeta Mataj, dhe dy ish-vartëset e saj, ish-shefja Financës, Valbona Duni, si dhe ish-arkëtarja, Paola Danaj. Për këtë çështje është regjistruar procedim penal për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Sipas Prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026.

Elisabeta Mataj u shkarkua nga detyra më 14 korrik dhe u kallëzua në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm./ZËRI

MOS HUMB