
FIER- Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet për ndotjen e lumit Gjanica dhe ka dërguar në gjyq shoqërinë 'Al Global Oil' dhe drejtuesin teknik të saj, Robert Shehaj. Sipas njoftimit të Prokurorisë, nga hetimet rezulton se ujërat teknologjike të ndotura me hidrokarbure nga Uzina e Përpunimit të Naftës në Fier janë shkarkuar në një përrua që derdhet në lumin Gjanica dhe jo në pikën e autorizuar.
Prokuroria pretendon se drejtuesi teknik kishte dijeni për pikën e shkarkimit dhe nuk kishte marrë masa për ta mbyllur apo për të parandaluar ndotjen. Ndërkohë, dyshohet se ka përfituar duke shmangur kostot e trajtimit dhe transportit të ujërave të ndotura.
"Vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë “A” SHA, e cila, duke shkarkuar ujërat e patrajtuara, kursente kostot e trajtimit dhe të transportit të tyre, si pasojë e mungesës së kontrollit dhe të mbikëqyrjes nga organet e saj drejtuese", theksohet në njofitmin e Prokurorisë.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin R.Sh. dhe shoqërinë ‘A’ si person juridik për veprën penale ‘Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës’ parashikuar nga neni 201, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1484, të vitit 2023, nga provat e marra gjatë hetimeve paraprake rezultoi se ujërat teknologjike të Uzinës së Përpunimit të Naftës Fier, në Drizë, Qendër-Fier, grumbulloheshin në bllokun e pastrimit të uzinës, ku sipas Lejes së Mjedisit duhej të trajtoheshin dhe të shkarkoheshin vetëm në pikën e autorizuar dhe brenda vlerave kufi.
Nëpërmjet kësaj pike, ujërat teknologjike të ndotura me lëndë hidrokarbure janë derdhur në një përrua që, pas rreth 17 metrash, përfundon në lumin Gjanica. Këto ujëra ishin gjeneruar gjatë punës së uzinës dhe kishin mbetur në depozitat e bllokut të pastrimit edhe pas ndalimit të saj.
Në kampionin e marrë në dalje të vaskës, produktet e naftës kanë rezultuar 13,8 mg/l, mbi kufirin prej 10 mg/l të lejuar nga Leja e Mjedisit, ndërsa ujërat janë klasifikuar në Klasën V – “Gjendje e keqe”.
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridksionit të Përgjithshëm, Fier rezultoi se drejtuesi teknik i uzinës, R.Sh., ndonëse e njihte ekzistencën e kësaj pike shkarkimi dhe kishte detyrimin dhe mundësinë ta mbyllte, ta kontrollonte ose ta pajiste me trajtim, nuk ka marrë asnjë masë. Vepra është kryer në emër dhe në dobi të shoqërisë “A” SHA, e cila, duke shkarkuar ujërat e patrajtuara, kursente kostot e trajtimit dhe të transportit të tyre, si pasojë e mungesës së kontrollit dhe të mbikëqyrjes nga organet e saj drejtuese.
Këto rrethana janë provuar me aktet e inspektimit të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, me këqyrjen e vendit të ngjarjes, me analizat laboratorike, me deklarimet e personave që kanë dijeni dhe me aktin e ekspertimit teknik-mjedisor.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar në hetimin e veprave penale kundër mjedisit, të cilat cenojnë drejtpërdrejt faktorët mjedisorë. Theksojmë veçanërisht ndotjen e lumit Gjanica, e cila përbën një problem të mprehtë mjedisor për cilësinë e ujërave dhe për botën bimore e shtazore të këtij lumi. Prokuroria, në bashkëveprim me Agjencinë Rajonale të Mjedisit dhe me Policinë e Shtetit, do të vijojë hetimin me përparësi të çdo rasti të shkarkimit të lëndëve ndotëse në lumin Gjanica dhe ndjekjen penale të personave fizikë dhe juridikë përgjegjës.