TIRANË- Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për Vinçesk Pirolin, i arrestuar një muaj më parë në Lezhë pas planifikimit të një atentati. Nga “arrest me burg”, gjykata ka caktuar ndaj Pirolit masën “arrest në shtëpi”.
Ai u arrestua më 11 tetor, së bashku me Kristian Ymerin, 34 vjeç, dhe Elden Tarjan, 25 vjeç, pasi dyshohej se në bashkëpunim kishin planifikuar të kryenin një atentat.
Si u krye arrestimi i tyre-atentati i dështuar
Kristian Ymeri (Shkambi), 34 vjeç dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç të armatosur dhe me skafandra, lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, për të kryer krimin. Ndërkohë personi i tretë, Elden Tarja, 25 vjeç ishte vendosur me një automjet në zonën ku kishin planifikuar të kryenin vrasjen, për të ndihmuar ekzekutorët të largoheshin nga vendi ingjarjes.
Pas vëzhgimit dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motori, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volkswagen”, në të cilin ndodhej Kristian Ymeri(Shkambi) dhe Vinçesk Piroli, me drejtues Elden Tarjan.
Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e Tarjas dhe përreth saj, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta), me krehra dhe fishekë, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për të të kryer vrasjen./ZËRI